Bota

OKB: Në Gaza çdo ditë 37 fëmijë humbasin nënat e tyre!

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë njoftoi se çdo ditë 37 fëmijë humbasin nënat e tyre në Rripin e Gazës në të cilin Izraeli vazhdon sulmet prej 7 muajsh.
Në një deklaratë nga llogaria e saj në median sociale X të UNRWA-së thuhet se “Lufta në Gaza vazhdon të jetë një luftë kundër grave”.

“Në Gaza e cila ndodhet nën sulmet e ushtrisë izraelite që nga 7 tetori 2023, janë vrarë 10 mijë gra dhe rreth 19 mijë të tjera janë plagosur. Çdo ditë 37 fëmijë humbasin nënat e tyre”, thuhet në deklaratë.

“Kushtet janë të tmerrshme, mbi 155 mijë gra shtatzëna ose që ushqejnë fëmijët me gji sigurojnë qasje në mënyrë shumë të kufizuar në ujë dhe produktet e higjienës”, theksohet më tej në deklaratë.

Hamasi dëshiron të arrijë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse që i jep fund agresionit, garanton tërheqjen e IDF dhe arrin një marrëveshje serioze për shkëmbimin e të burgosurve”.

Lideri i fraksionit palestinez Ismail Haniyeh ka shkruar këtë në platformën Telegram duke iu referuar negociatave në Kajro.

“Çfarë kuptimi ka një marrëveshje – shtoi ai – nëse armëpushimi nuk është rezultati i parë i saj?”.

“Ne kemi treguar fleksibilitet – shtoi ai – por pika e fillimit është fundi i luftës”.

Por, “Është Hamasi ai që po pengon një marrëveshje për lirimin e pengjeve”.

Kështu ka deklaruar kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke shtuar se “Izraeli ishte dhe është ende i gatshëm për një armëpushim për lirimin e të rrëmbyerve tanë”.

Netanyhau shton se Izraeli nuk mund të tërheqë ushtrinë nga Gaza, gjë që e kërkon Hamas, pasi sipas tij kjo është dorëzim.

“Ne nuk jemi gati të pranojmë një situatë në të cilën batalionet e Hamasit të dalin nga bunkerët e tyre, të rimarrin kontrollin e Gazës, të rindërtojnë infrastrukturën e tyre ushtarake dhe të kthehen në kërcënimin e qytetarëve të Izraelit në komunitetet fqinje”,-ka theksuar ai.