Aktualitet Politikë

Rezoluta kundër Dick Marty-t, tensione në Kuvend!

Kuvendi i Shqipërisë u përfshi sot nga tensione të forta kur po diskutohej projektrezoluta e propozuar nga Partia Socialiste “Mbi bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë e Shqipëri”. Po në Parlament, opozita kërkon që dokumentit, t’i bashkangjitet dënimi i gjenocidit serb në Kosovë.

Përmes një raporti të vitit 2011 kur ishte anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dick Marty ngriti pretendime për trajtim çnjerëzor e trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore nga pjestarë e drejtues të UÇK-së. PS vë në dukje se ende pas 11 vitesh nga hartimi i raportit të Marty-t, asnjë pretendim i tij nuk është vërtetuar.

Raporti i Dick Marty-t për vrasje të personave, me qëllim nxjerrjen dhe shitjen e organeve të tyre e trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, mbetet i paargumentuar, i paprovuar, i pabazuar në prova dhe fakte. Për rrjedhojë, duhet të konsiderohet si i tillë nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

Sipas kryeministrit Rama, “zanafilla e raportit të Dick Marty-t është vota e Partisë Demokratike në Këshillin e Europës”.

Zanafilla e raportit të Dick Marty-t është vota e Partisë Demokratike në Këshillin e Europës, përkundër votës së Damian Gjiknurit e Shpëtim Idrizit kundër raportit të Dick Marty-t. Dick Marty-t ia keni hapur rrugën ju. Po kështu, hajdeni këtu dhe thoni se çfarë mendoni për Hashim Thaçin, është mirë aty ku është në burg?

Këto shikoni ju sepse thikat që ju i keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke e masakruar UÇK-në si terroriste e si marksiste-leniniste, e dreqi me të birin deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën e duke ia ngulur në gjoks presidentit të Kosovës, i përkasin historisë, ju as nuk i shlyeni dot, as nuk i zhbëni dot, as nuk i mbuloni dot. Historia do të tregojë se ju patriotët e mëdhenj, jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës dhe kështu keni qenë gjithmonë dhe kështu do të mbeteni sepse bishti i shtrembër nuk drejtohet.

Por, për kreun demokrat Berisha, “në procesin e arrestimit të Hashim Thaçit qëndron një trinom Kremlin-Beograd-Tiranë”.

Në procesin e arrestimit të Hashim Thaçit qëndron një trinom Kremlin-Beograd-Tiranë. Ky e mori dhe e futi Hashim Thaçin në spiralet e ndryshimit të kufijve në Ballkan. Ky e mori Hashim Thaçin të shtrëngonte duart me Putinin, bashkë me Ymerët dhe Klosët e tij. Janë burime shpifjesh të pafundme.

Edi Rama, në një spirale futi udhëheqjen politike të Kosovës, e cila në mënyrë absolute ndikoi në procesin e arrestimit të tyre. Ky që do të bëhet tani patriot bashkë me Baton Haxhiun, janë dy promotorët e arrestimit të udhëheqjes politike të Kosovës. Këta ndërmorën fushatën, për anulimin e asgjësimit të Gjykatës Ndërkombëtare, gjë e cila tregonte indirekt se po përpiqej për të fshehur fajësitë që nuk ekzistonin.

Prandaj hidhet dhe kërcen këtu, sepse e di që në çdo variant del thjesht një argat dhe vasal i Aleksander Vuçiçit. Sepse e di që në çdo samit është i damkosur si argat i tij, jo për Kosovën, përkundrazi, por për planet e Vuçiçit.

Këto janë njëri aspekt. Aspekti tjetër është 7 korriku. Kurrë s’e kemi parë në këtë platformë të shpërfytyruar siç doli kësaj here. Qëndrimi ynë është padiskutim ai që ka qenë gjithmonë dhe unë e kam shprehur dhe do ta shpreh, jo këtu, në OKB, në Parlamentin Europian, në Këshillin e Europës.

Berisha foli në foltore, pasi më parë iu drejtua kryeministrit me fjalë fyese, si dhe pati një ndërhyrje të Gardës në sallën e Kuvendit.

O burracak, o i pafytyrë.. po të tregoj unë ty. Ty të ka çmendur 7 korriku!