Health & Beauty

Rikthehen në fokus vaksinat e personalizuara ndaj kancerit, çfarë duhet të dini!

Vaksinat e personalizuara ndaj kancerit janë rikthyer në fokus të Takimit Vjetor të Shoqatës Amerikane për Kërkimet, rreth kancerit në San Diego. Një numër kompanish janë duke investuar tek injeksionet e dizajnuara për ta ndihmuar sistemin imunitar të luftojë tumore specifike. Qelizat e kancerit janë të mbuluara në proteina që kanë pësuar mutacion të cilat quhen “neoantigjene”. Këto të fundit, nuk gjenden te qelizat e shëndetshme.

Vaksinat e personalizuara kundër kancerit e trajnojnë sistemin imunitar që të njohë neoantigjenet unike të një pacienti dhe më pas të gjejë dhe të shkatërrojë qelizat kanceroze. Megjithatë, duke qenë se shkencëtarëve u duhet një kampion tumori në mënyrë që të zhvillojnë një nga këto injeksione, vaksinat nuk mund të jenë parandaluese. Pra, që të përdoren përpara se një person të sëmuret.

Në vend të kësaj, qëllimi i tyre zakonisht është që të vrasin qelizat kanceroze që mund t’i kenë shpëtuar trajtimeve të tjera, si kirurgjisë apo kimioterapisë, për të ulur kështu rrezikun e rishfaqjes. Shkencëtarët që punojnë për kompaninë bioteknologjike Moderna prezantuan në një mbledhje vjetore rezultatet që kanë marrë deri më tani nga testet që po i bëhen një vaksinë në zhvillim të quajtur mRNA-4157, e cila ka rezultuar premtuese në parandalimin e përsëritjes së melanomës.

Këto zhvillime premtojnë të revolucionarizojnë të ardhmen e mjekësisë, duke ofruar zgjidhje efektive për parandalimin e tumorit, sëmundjeve kardiovaskulare e atyre autoimune. Vaksina do të bëhet realitet brenda dekadës së ardhshme, duke ofruar një mjet të fuqishëm parandalues ​​të sëmundjeve për miliona njerëz në mbarë botën. Falë sukseseve të arritura me vaksinat kundër COVID-it, kërkimi i vaksinës kundër kancerit është përshpejtuar ndjeshëm, duke arritur ekuivalentin e 15 viteve progres në vetëm 12 deri në 18 muaj.