Celebrities Music Showbiz

Rolling Stones njofton një turne të ri për vitin e ardhshëm!

Legjendarët ‘Rolling Stones’ kanë njoftuar se do të dalin sërish në koncert në vitin 2024 për të promovuar albumin e tyre të 24-të të publikuar së fundmi ‘Hackney Diamonds’. Sipas njoftimit, grupi i udhëhequr nga Mick Jagger, Keith Richards dhe Ronnie Wood do të performojë në 16 qytete në SHBA dhe Kanada, duke përfshirë Las Vegas, Chicago, Massachusetts, Cleveland, Los Angeles.

Turneu, i cili fillon në Hjuston më 28 prill dhe përfundon më 17 korrik në Santa Clara, Kaliforni, nuk është befasi. Grupi legjendar u shfaq muajin e kaluar, në një klub në West Side të Manhattan, duke prezantuar albumin e tyre të ri. Ata luajtën për 25 minuta, duke interpretuar gjashtë këngë para 500 të ftuarve. Siç raporton Variety, ‘Hackney Diamonds’ është albumi i parë i grupit që nga vdekja e bateristit Charlie Watts në 2021.

Sjellim në vëmendje se statujat e legjendave të Rolling Stones Mick Jagger dhe Keith Richards janë zbuluar në qytetin e tyre të lindjes, Dartford në Mbretërinë e Bashkuar. Skulpturat prej bronzi u projektuan nga artistja Amy Goodman, e cila është një fanse e grupit.

Statujat, të quajtura “The Glimmer Twins”, një pseudonim i adoptuar nga Jagger dhe Richards në mesin e viteve 1970, sipas të cilit ata prodhuan albumet e Stones, u porositën nga këshilli i bashkisë Dartford. “Muzika e tyre ka ndryshuar fytyrën e muzikës popullore dhe këta djem nga Dartford tani janë dy nga njerëzit më të njohur dhe më të dashur në botë”,-tha kreu i këshillit të bashkisë Jeremy Kite gjatë ceremonisë.

Mick Jagger ka lënë të kuptohet së fundmi se ai do të preferonte ta linte pasurinë e tij prej 500 milionë dollarësh për bamirësi dhe jo për fëmijët e tij. Bëhet fjalë për të ardhurat nga shitja e katalogut të Rolling Stones pas vitit 1971. “Ata nuk kanë nevojë për të jetuar, është më mirë të bëjnë mirë në botë,”-tha rockeri 80-vjeçar, në një intervistë me Wall Street Journal.