Aktualitet Rajoni

Rritet presioni ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien para takimit me kryeministrin Kurti, ishte në Beograd ku takoi Presidentin e Serbisë , Aleksandar Vuçiç dhe nga atje tha se “Shtetet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të siguruar përmbushjen e zotimit të Kosovës për themelimin e Asociacionit”.

Macron thirrje për Asociacionin

Dy ditë më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Francës Emannuel Macron. Edhe ky i fundit ishte këmbëngulës në kërkesën e tij. “E theksova rëndësinë e përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm nga autoritetet e Kosovës drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës”, shkroi Macron në platformën X.

Kryeministri Kurti përmes një njoftimi “shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit”. Kurti thotë në njoftimin e zyrës së tij se ai “nguli këmbë për respektimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar” për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Draftstatuti i BE ende pa përgjigje

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja nuk kanë ndalur thirrjet ndaj Kosovës që ta themelojë Asociacionin dhe në këtë kuadër BE-ja i paraqiti muaj më parë Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin, por deri tash nuk është ndërmarrë ndonjë hap drejt themelimit të tij. Vitin e shkuar, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit, por kjo marrëveshje, sipas BE-së, nuk po zbatohet nga palët.

Serbia këmbëngul që Kosova ta themelojë Asociacionin ndërsa, Prishtina zyrtare kërkon nënshkrim të marrëveshjes për normalizim me garanci ndërkombëtare, gjë që nënshkrimin e saj e refuzon Serbia. Marrëveshja e Ohrit ka 11 nene dhe ndër të tjera parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore. Bashkimi Evropian dy ditë më parë e përfshiu zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi në kuadrin negociues të Serbisë për anëtarësim në BE.

Sidoqoftë, ka muaj që Prishtina dhe Beogradi nuk kanë zhvilluar takime në nivelin e lartë politik, por, palët dërguan në Bruksel kryenegociatorët. Një takim i tillë zhvillohet edhe këtë të enjte ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia.

Ndërmjetësuesi i dialogut Mirosllav Lajçak, para takimit shkroi se “është duke punuar për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit”, që Kosova e ndaloi përdorimin e tij në Kosovë në fillim të muajit shkurt. Në një përmbledhje të aktiviteteve të tij gjatë javës, Mirosllav Lajçak, shkroi se “në takimet e fundit me kryenegociatorët, kanë arritur që ta ngushtojnë hendekun lidhur me këtë temë”, ndonëse akoma nuk është arritur marrëveshje.–DW–