Aktualitet

Rrogat për kapitenët, më të larta se të ministrave dhe shkollë për peshkatarët/ Ja çfarë premtoi Rama gjatë prezantimit të buxhetit për peshkimin.

Teksa prezantoi buxhetin e vitit 2022 për peshkimin, kreu i qeverisë Edi Rama tha se do të hapin një shkollë për këtë sektor.

Në mënyrë që ky profesion të mos humbasë, por edhe për të mos marrë specialistë nga jashtë, Rama u shpreh se është e rëndësishme hapja e kësaj shkolle.

Na duhet një shkollë. Po keni problemin e specialistëve të nivelit të lartë. Na duhet të ndërtojmë shkollën profesionale që të jetë në ndritim të industrisë që të jetë e lidhur me praktikën. Të gjitha dijet që merren për shkak të hapjes me botën duhet të vijnë këtu nëpërmjet shkollës dhe të kemi një gjeneratë të re që do të marrë stafetën nesër në drejtimin e anijeve. Nuk mund të vazhdojmë kjo histori që gjithë ajo struktura drejtues teknike e flotës teknike të jenë turq e egjiptianë aq më tepër që pagat e kapitenëve janë më të larta se pagat e ministrave. Edhe për shkollën do të punojmë. Brenda vitit të ardhshëm duhet të hapim themelet, deklaroi Rama. 

Kreu i qeverisë tha se ky sektor është zhvilluar dhe se paga më e ulët është 800 mijë lekë.

Kryeministri zbuloi se për të punuar në Shqipëri me këtë pagë vijnë nga Turqia dhe Egjipti. Sipas kryeministrit eksporti i produkteve shqiptare të peshkimit është rritur me 239%.

Sot ju jeni bërë faktor në tregun më të vështirë të gjithë kontinentit që janë vendet nordike, ju jeni prezent. Sot vetëm këtë vit, presim që të mbyllet me 32+ subjekte të licencuara. Po të shikojmë e kemi rritur eksportin 239%. Po ju them të gjithë atyre që e shohim Shqipërinë e punës nga portalet, që paga më e ulët që ju jepni për të punuar në peshkim është 800 mijë lekë. A ka njeri këtu që nuk ka nevojë për punëtorë peshkimi? Të gjithë kanë nevojë sepse kjo është një ekonomi që rritet dhe do vazhdojë. Dhe ku i gjeni punëtorët? Me 800 mijë lekë paga më e ulët në Turqi, në Egjipt, vijnë nga Turqia dhe Egjipt të për të punuar këtu. Disa me diploma kristali që pretendojnë se janë jurist kërkojnë punë. Ja të vijnë të trokasin në dyert e industrisë së peshkimit dhe e kanë punë këtu, u shpreh kryeministri.