Lifestyle Travel

Rruga e Napoleon Bonapartit, thesari kombëtar francez që tërheq vizitorë nga e gjithë bota!

Rruga e Napoleon Bonapartit në Francë, është prej kohësh një atraksion turistik, që u jep vizitorëve mundësinë të përjetojnë kulturën e vjetër galike, të shijojnë bukurinë e peizazheve natyrore të paprekura, por edhe historinë e lavdishme të Napoleon Bonapartit. Në fillim të vitit 1815, gjërat nuk shkonin mirë për Napoleon Bonapartin, ish-perandorin e Francës, të cilin asokohe e kishin burgosur në ishullin e vogël mesdhetar të Elbës. I gjetur në një situatë të vështirë, Bonaparti vendosi të arratisej me varkë dhe udhëtoi për në Francë.

Ai zbarkoi në Golfe-Juan në Côte d’Azur me 700 burra besnikë dhe filloi të marshonte drejt Parisit përmes një terreni të vështirë për të shmangur kapjen e tij. Pavarësisht se ishte shpallur armik i shtetit dhe pati shumë peripeci gjatë rrugëtimit të tij, arriti në destinacionin e dëshiruar në më pak se dy javë e gjysmë. Jo vetëm kaq, por në kohën kur arriti në kryeqytetin francez, kishte ngritur një ushtri të tërë, si dhe kishte rimarrë kontrollin e vendit.

Ky kthim konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave dhe rruga që Bonaparti ndërmori nga Alpet deri në Grenoble është shndërruar në një rrugë shumë të famshme. Me një gjatësi 325 km, rruga po tërheq vizitorë nga e gjithë bota që shkojnë për të ndjekur gjurmët e perandorit dhe po ashtu për të mësuar më shumë rreth një udhëtimi që ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë evropiane. Jérôme Viaud, kryebashkiaku i Grasse thotë për BBC Travel se:

Rruga e Napoleonit është një thesar kombëtar francez. Shtrihet nga Deti Mesdhe deri në Alpe, ku gjendet një larmi e jashtëzakonshme peisazhesh, por edhe arkitekturë, kulturë dhe histori.

Sot, rruga moderne N85 (emri zyrtar i Rrugës së Napoleonit) nuk ndjek rrugën e saktë që mori Bonaparti në 1815. Kur perandori bëri udhëtimin e tij, nuk kishte asnjë rrugë të vetme asfalti për të ndjekur, por një labirint me shtigje.  Për t’iu afruar asaj që përjetoi vetë Bonaparti, mënyra më e mirë është të nisesh me këmbë. Janë me mijëra shtigje për t’u ndjekur që i çojnë vizitorët nëpër fshatra të çuditshme, vende të lashta, formacione mbresëlënëse gjeologjike dhe pyje natyrore të mbrojtura nga UNESCO.