Rajoni

SHBA: Besimplotë te BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi!

Shtetet e Bashkuara kanë besim të plotë te Bashkimi Europian sa i përket ndërmjetësimit të dialogut Kosovë-Serbi. Këtë e deklaroi ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier gjatë një fjalimi në edicionin e dytë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë në Prishtinë.

Amerika ka besim të plotë te BE-ja, në ndërmjetësimin e dialogut. Amerika ka besim të plotë te përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell dhe te ai i Dialogut, Mirosllav Lajçak, si zbatues objektiv i kësaj politike.

Deklarata e Hovenierit vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi Lajçakun si ndërmjetësues të njëanshëm e të koordinuar me presidentin serb, Aleksander Vuçiç, sipas tij, “për krijimin e një skenari alternativ ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”. Diplomati i Uashingtonit theksoi:

Eshtë e rëndësishme që të gjithë aktorët, të pranojnë procesin ku janë e të luajnë poker me letrat që u kanë rënë. Puna për normalizimin e marrëdhënieve, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit e të Aneksit nga të dyja palët është rruga përpara. Kjo e sjell Kosovën më afër vizionit që ne ndajmë për integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike.

Më 14 shtator, takimi Kurti-Vuçiç përfundoi pa rezultat. Pas bisedimeve në Bruksel, Bashkimi Europian tha se kryeministri Albin Kurti nuk u tregua i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, i cili “e pranoi propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Borrell tha se fillimisht, Kurti këmbënguli të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia. Sipas kryeministrit, “kushtëzimi i Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Por, sipas Vuçiçit, Kurti thjesht “i shmanget formimit të Asociacionit e ky është thelbi i gjithçkaje”. Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje që në vitin 2013.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve e të Serbisë, Kosova, kurrë nuk e ka zbatuar atë marrëveshje, nga frika se mund të ndikojë në funksionalitetin e shtetit.