Aktualitet

SHBA në mbështetje të SPAK-ut: Krah jush!

Uashingtoni rikonfirmon mbështetjen për punën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ambasada amerikane në vendin tonë thekson se janë krenarë që mbështesin angazhimin e SPAK-ut për integritet dhe drejtësi. Selia diplomatike rithekson se “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah institucioneve të drejtësisë së Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë, duke përforcuar angazhimin tonë të qëndrueshëm për një sistem drejtësie që shqiptarët duan dhe e meritojnë”.

Reagimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë:

Prokurorët e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) morën pjesë së fundmi në një seminar të organizuar nga Zyra e SHBA për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit (OPDAT).

Ekipi i SPAK diskutoi arritjet dhe strategjitë për të përmirësuar punën në ekip, për të bashkërenduar përpjekjet e tyre dhe për të rritur rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne jemi krenarë që mbështesim angazhimin e SPAK për integritet dhe drejtësi.

Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah institucioneve të drejtësisë së Shqipërisë në luftën e tyre kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë, duke përforcuar angazhimin tonë të qëndrueshëm për një sistem drejtësie që shqiptarët duan dhe e meritojnë.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit ku po raportojnë institucionet, shefi i SPAK-ut, Altin Dumani vuri në dukje se vitin e kaluar, nga prokuroria e posaçme u rrit numri dhe sofistikimi i hetimit në sekuestrimin e parave. “U rrit në mënyrë cilësore dhe lufta ndaj krimit të organizuar. Kishim kontakte dhe bashkëpunim të mirë edhe me homologët rajonalë. SPAK më 2023 rriti numrin e çështjeve penale që kanë objekt hetimin e subjekteve të profilit të lartë ose të mesëm”, tha Dumani.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin, Bledi Çuçi e pyeti Altin Dumanin mbi veprimet e hetimet për gjyqtarët e shkarkuar nga vetting-u. Kreu i SPAK-ut raportoi se ka vendime fajësie të formës së prerë dhe konfiskime pasurie për ish-gjyqtarë të Kushtetueses e Gjykatës së Lartë. Sipas tij, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet që të referojnë rastet, në mënyrë që SPAK-u t’i ketë në vëmendjen e tij.