Aktualitet

Shkelje e barazisë në tendera, rikthim në burg për ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe!

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, vendosi të shtojë dënimin për Fatos Tushen, ish-kryetarin e Bashkisë Lushnjë, duke e shpallur fajtor edhe për shkelje të barazisë në tendera.

Më herët nga Shkalla e Parë, Tushe u dënua vetëm “Për shpërdorim detyre e lejim të ndërtimeve pa leje”. Për të u dha dënimi me 2 vite e 4 muaj heqje lirie. Sot Apeli i Posaçëm e shpalli fajtor edhe për akuzën tjetër. Si përfundim, Fatos Tushe është dënuar me 5 vite burgim e në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është 3 vite e 4 muaj heqje lirie.

Ish-kreu i bashkisë Lushnjë e kreu dënimin e mëparshëm, por tani duhet që të rikthehet në burg, për të vuajtur pjesën tjetër me 12 muaj. Kujtojmë se Fatos Tushe u arrestua në korrik të vitit 2021 e në pranga ranë edhe ish-vartës të tij, në një operacion të ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ishte fjala për një tender me vlerë rreth 24 milion lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm e Bitaj. Ky tender u fitua nga kompania EuroAlb shpk që pati sjellë ofertën më të lartë, por më pas, punimet, fitimet dhe punën e kreu një kompani tjetër, në pronësi të një biznesmeni që siç  specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen. Po ashtu, rezultoi me lidhje familjare me sipërmarrësin e shpallur fitues i tenderit. Që të dy bënin ndarjen e parave.