Botë e Çuditshme Tech

Shkencëtari zvicerian tregon se çfarë do të ndodhë me njerëzimin pas 25 vitesh!

Udhëtimi në hapësirë është padyshim ëndrra e gjithësecilit prej nesh. Takimi me forma të tjera jete aq më tepër intrigon. Ndërkaq, sipas një studiuesi të Institutit Federal të Teknologjisë së Zvicrës, nuk duhet të presim edhe shumë për këtë ngjarje historike. Sipas shkencëtarit zvicerian Sascha Quanz, një takim i tillë, ose të paktën provat e jetës jashtë planetit tonë, do të mund të ndodhë brenda 25 viteve të ardhshme.

Në 1995, çmimi Nobel Didier Queloz ka zbuluar planetin e parë jashtë sistemit diellor. Sot njihen rreth 5 mijë planetë të tillë dhe po zbulojmë të tillë çdo ditë. Nga të gjithë këto mijëra planete, disa dhjetëra prej tyre i kanë të gjitha parametrat për të qenë të përshtatshëm për jetën, përfshirë këtu praninë e ujit.

Sipas tij, për momentin James Webb, teleskopi më i fuqishëm në aktivitet, nuk është mjaftueshëm i fortë për të dhënë pamje të detajuara nga këto planetë, por brenda 25 viteve instrumente të tilla mund të realizohen duke e bërë të mundur zbulimin e jetës jashtëtokësore. Rikujtojmë, se teleskopi hapësinor James Webb ka dhënë rezultatet e para domethënëse.

Jo vetëm fotografi me rezolucion të lartë të sistemit tone diellor, por tani edhe planetë jashtë tij, pamjet e të cilëve që shihen për herë të parë. Bëhet fjalë në veçanti për ekzoplanetin e parë të kapur nga teleskopi, pra planetin që ndodhet në një sistem diellor të ndryshëm nga ai i Tokës. I quajtur me siglën disi anonime HIP 65426, planeti që ndodhet 385 vite dritë nga Toka ka qenë i njohur nga viti 2017, i pikasur nga një observator i rëndësishëm në Kili, por atmosfera e Tokës pengonte ardhjen e sinjalit që mundësonte pamjet.