Aktualitet Bota Politikë

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit”- Ministri i Jashtëm: Sjell shkatërrim në të gjithë Lindjen e Mesme!

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai thotë se ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e gjithë rajonit.

Po ashtu, ministri shkruan se ky konflikt rrezikon të sjellë një shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme.

Një mesazh, ministri Hasani kishte edhe për shqiptarët që jetojnë atje: Të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit.

Ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit. Rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme.

Këshillojmë shqiptarët në këtë rajon, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë”, shkruan ministri Hasani.

Ndërkohë, kujtojmë se mbrëmjen e djeshme edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas sulmeve me qindra dronë të Iranit ndaj Izraelit. Në një njoftim për shtyp bën me dije se janë në komunikim me ambasadën e Shqipërisë në Izrael.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në komunikim të pandërprerë me ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Izrael si edhe me të gjithë shtetasit shqiptarë, me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Izrael. U bëjmë thirrje të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, të bëra publike së fundmi nga autoritetet vendase”, – thuhet në një njoftim.

Ministria e Jashtme thekson se për çdo nevojë të mundshme të kontaktojnë në telefon dhe WhatsApp me numrat e kontaktit të ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Izrael:

+972 54-904-2813

+972 54-480-6601