Bota

Shtyhet hapja e shkollave në Zambi për shkak të shpërthimit të kolerës!

Kthimi i fëmijëve në shkolla në Zambi është shtyrë për tre javë për shkak të një epidemie kolere që ka nisur që nga tetori në vendin e pjesës jugore të Afrikës dhe ka marrë jetën e 150 personave. Kthimi pritej të bëhej të hënën, më 8 janar. “Shkollat publike dhe private do të qëndrojnë të mbyllura edhe për tre javë të tjera pas datës së hapjes së tyre zyrtare më 8 janar. Shkollat do të rihapen më 29 janar. Vendi ka parë një rritje kohët e fundit të rasteve dhe vdekjeve nga kolera”,-tha ministri i Arsimit Douglas Siakalima gjatë një konference për shtyp.

Sipas shifrave të fundit të qeverisë në Lusaka, ka pasur mbi 4,000 raste dhe 150 vdekje, me fjalë të tjera një normë fataliteti prej 3.7%. Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 342 raste të reja dhe 23 vdekje u konfirmuan në 24 orët e mëparshme. Autoritetet e Zambisë njoftuan në fund të dhjetorit se po rritnin fushatën kundër shpërthimit, veçanërisht duke shpërndarë klor për të dezinfektuar ujin e kontaminuar.

Sipas OBSH, sëmundja e shkaktuar nga bakteri i kolerës, pas një periudhe të shkurtër inkubacioni prej dy deri në pesë ditë, shkakton diarre akute, të vjella, dehidratim dhe nëse nuk trajtohet menjëherë vdekje brenda edhe disa orësh. Është jashtëzakonisht i rrezikshëm për fëmijët e vegjël. Një miliard njerëz në 43 vende janë të rrezikuar nga kolera, sipas një paralajmërimi të OKB-së. “Ka një pandemi që po vret të varfrit para syve tanë dhe ne e dimë saktësisht se si ta ndalojmë atë, por ne kemi nevojë për më shumë mbështetje sepse nëse nuk veprojmë tani, situata do të përkeqësohet”,-paralajmëroi Jerome Pfaffmann Zabruni, kreu i shërbimit të urgjencave të shëndetit publik të UNICEF-it, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.