Aktualitet

Shuhet në moshën 85-vjeçare ish-diplomati i lartë çek, Karel Schwarzenberg!

Ish-ministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, Karel Schwarzenberg – njëri prej figurave kryesore të vendit në kohën pas komunizmit – ka vdekur të dielën në moshën 85-vjeçare, njoftuan zyrtarët çekë.

Schwarzenberg e kishte mbështetur pavarësinë e Kosovës edhe para se ajo të shpallej nga Prishtina zyrtare në shkurt 2008, ndërsa ishte ministër i Jashtëm kur Çekia e njohu atë në maj 2008.

Schwarzenberg kishte shërbyer dy herë si ministër i Jashtëm i Çekisë mes viteve 2007 dhe 2013 dhe në Kosovë shihej si një mik i vendit.

Në janar të vitit 2008, një muaj para së Kosova të shpallej e pavarur, Schwarzenberg kishte thënë se “në një kohë të duhur Çekia do ta përkrahë deklaratën e pavarësisë së Kosovës”.

Më vonë, vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai kishte treguar vullnetin për ta njohur pavarësinë e saj.

“Ne do të shohim se sa vende evropiane do ta njohin Kosovën, dhe se si do të sillet Qeveria e Kosovës. Ne do ta marrim vendimin bazuar në këto fakte. Për këtë arsye nuk do të përmend ndonjë datë në veçanti – ne do të punojmë me fakte, dhe jo data”, kishte thënë ai më 19 shkurt të vitit 2008.

Vendimi i tij ishte kundërshtuar nga disa parti politike, përfshirë edhe ish-presidentin Vaclav Klaus. Në fakt, edhe presidenti i atëhershëm i Çekisë, Millosh Zeman, e që konsiderohej si më i afërt me Rusinë, nuk njihej si mbështetës i pavarësisë së Kosovës.

“Por, shumica e popullit e ka pranuar pavarësinë. Kosova e pavarur nuk është problem për shumicën e çekëve”, kishte thënë Schwarzenberg në shkurt 2018.

Më 2019, ish-presidenti i çek Millos Zeman e kishte shqyrtuar mundësinë për ta tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, për çka ishte kundërshtuar nga Schwarzenberg.

Sipas tij, Zeman duhej t’i pyeste futbollistët çekë nëse Kosova ekziston apo jo, duke iu referuar fitores së Kosovës 2:1 kundër Çekisë në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 në Prishtinë, në nëntor 2019.