Bota

Sot, dita e fundit e presidencialeve ruse/Priten protesta!

Sot në ditën e tretë dhe të fundit të zgjedhjeve presidenciale e ku nuk ka dyshime në fitoren e Putinit, autoritetet ruse janë përgatitur për protesta të pazakonta në qendrat e votimit, ndaj i kanë rritur kërcënimet se ata që e pengojnë procesin “do të përballen me dënime të rënda me burg”.

Para se të humbte jetën në një burg rus në Arktik nën rrethana të dyshimta, lideri opozitar Alexei Navalny shpresonte t’i përdorte zgjedhjet për të dëshmuar pakënaqësinë e popullit me luftën në Ukrainë dhe me sundimin e hekurt të Putinit.

Ai u kishte bërë thirrje votuesve që ta hidhnin votën mesditën e 17 marsit, duke e quajtur aksionin “Në mesditë kundër Putinit”. Gruaja e tij, Yulia Navalnaya, si dhe të tjerë, i kanë vazhduar thirrjet për protesta sot.

Zyra e prokurorit të Moskës kërcënoi me ndjekje penale të gjithë ata që shihen duke ndërhyrë në punën e komisioneve zgjedhore në qendrat e votimit në mesditë.

Gjatë dy ditëve të para, disa qytetarë rusë shprehën zemërimin me sundimin autoritar të Putinit, duke vandalizuar kuti votimi. U raportuan 28 incidente të tilla, si dhe pati të arrestuar në të paktën nëntë qytete, përfshirë Moskën, Shën Pjetërburgun, Soçin e Volgogradin.

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë, i dënoi protestuesit duke i quajtur “tradhtarë” që po ndihmojnë “armikun e vendit”, referuar Ukrainës.

71-vjeçari, i cili ka qenë president apo kryeministër për rreth 25 vjet, po garon kundër tre politikanëve pak të njohur. Ata janë lideri i Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetari i Dumës, Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe deputeti, Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste. Qëndrimet e tyre politike nuk dallojnë shumë nga të Putinit.

Boris Nadezhdin, politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar. Firmat e mbledhura prej tij nga përkrahësit u shpallën “të pavlefshme” për t’u regjistruar si kandidat presidencial. Ai u ankua, por vendimi i Komisionit Zgjedhor u la në fuqi nga Gjykata e Lartë e Rusisë.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme. Rezultati i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur nesër, më 18 mars.