Art & Kulturë sport

Sot maratona në Pogradec, policia ndan planin e masave! Ja akset rrugore që do të bllokohen

Policia ka ndarë planin e masave për këtë aktivitet. Nyja që lidh Qarkun e Korçës me Qarkun e Elbasanit sot bllokohet për rreth dy orë

Në datën 29.07.2023, në orën 19:00, në qytetin e Pogradecit, shoqata “Maraton Albania” dhe bashkia Pogradec, në kuadër të planit të aktiviteteve për pjesëmarrje në Maratona Kombëtare dhe Ndërkombëtare, do të organizojnë një aktivitet sportiv maratonë, i cili përfshin dy disiplina:

• Disiplina e parë (21 km) “half maratonë”, e cila starton nga fshati Lin, vazhdon përgjatë aksit rrugor buzë liqenit dhe përfundon në qendër të qytetit të Pogradecit;

• Disiplina e dytë (10 km) “mini maratonë”, e cila straton nga qendra e qytetit të Pogradecit dhe vazhdon drejt fshatit Buçimas dhe Tushemisht, duke përfunduar tek pika e nisjes, në qendër të Pogradecit, përgjatë shëtitores buzë liqenit dhe unazës lidhëse.

• Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, strukturat e Policisë do të marrin masa për ruajtjen e rendit publik, krijimin e parametrave të sigurisë rrugore, sigurimin e qarkullimit të lirë dhe pa rreziqe për garuesit, si dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore. Për këtë qëllim, informojmë të gjithë drejtuesit e mjeteve se:

• Akset rrugore “Lin-Pogradec”, “Qafë Plloçë-Pogradec”, segmenti i rrugës “Tushemisht-Pogradec” do të jenë të bllokuara në të dyja korsitë, nga ora 19:00 deri në orën 20:30. Gjithashtu do të bllokohen edhe rrugët në brendësi të qytetit të Pogradecit, deri në përfundimin e këtij aktiviteti.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës, për ndalimin e qarkullimit të mjeteve, në akset rrugore të lartpërmendura, nga momenti i fillimit të këtij aktiviteti deri në përfundim të tij.