Politikë

Sot zgjedhje në LSI, risi votimi online

Lëvizja Socialiste për Integrim po zhvillon zgjedhjet e brendshme. Anëtarësia do të votojë për kreun e LSI-së ku në garë është vetëm kryetarja aktuale Monika Kryemadhi. Gjithashtu do të zgjidhen edhe delegatët. Risi përbën votimi online ku të gjithë ata që kanë një kartë anëtarësie në LSI do të zgjedhin të preferuarit e tyre përmes aplikacionit. Ndërkaq ata që nuk janë të pajisur me kartë do të votojnë pranë qendrave të votimit që janë hapur në të gjitha bashkitë.

Procesi i zgjedhjeve brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim ka nisur prej orës 09:00 të mëngjesit të kësaj të shtune dhe  që do të zgjasë deri në orën 16:00. Anëtarët e LSI-së po votojnë për forumet drejtuese dhe do të përcaktojnë strukturat që do të drejtojnë forcën politike, që aktualisht udhëhiqet nga Kryemadhi.

Sot Monika  Kryemadhi u shfaq me maskën mbrojtëse, masë e detyrueshme anti-Covid, ndërkohë që votoi në njësinë Nr.5: ” Garoj për tu rikonfirmuar, por po pres me padurim zgjedhjen e ekipit drejtues që do dalë nga ky proces. Ekipi që do drejtojë LSI-në në misionin kombëtar për t’ju dhënë shqiptarëve punësim, arsim cilësor, ulje kosto jetese dhe cilësi. Fitorja e LSI -së do jetë e jashtëzakonshme, është fitorja e të rinjve dhe të rejave”,– tha ajo.