Politikë

Spahia-Ramës: Bashkia Shkodër nuk krijon pengesa për projektet! S’keni lekë të mbaroni punët e nisur, mashtroni me skema 3D

Kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia, njëherësh kandidat i koalicionit Berisha-Meta zhvilloi një inspektim në zonën e Rrjollit ku u takua me banorë të zonës. Ata akuzuan qeverinë Rama dhe kandidatin e partisë socialiste Benet Beci se i ka mashtruar.

“Abuzim me fondet publike dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë” e cilësoi kandidati Spahia, i cili shprehu shqetësimin për rrezikun që ajo paraqet pasi traseja ka pësuar shembje. Ai theksoi se mungojnë fondet për këto investime, ndërsa hodhi poshtë deklaratat e kryeministrit se bashkia Shkodër ka krijuar pengesa.

Po ashtu u shpreh se në rrugën Shëngjin-Velipojë jo vetëm nuk po punohet prej 1 viti dhe kanë nisur dëmtimet e trasesë, por tashmë firma ka larguar cdo mjet e punëtor dhe fati i saj nuk dihet.

“Traseja ka degraduar se është hapur në kushte të papërshtatshme. E tregojnë si sukses sikur po përfundon ndërsa ka më shumë se 1 vit që s’punon njeri këtu. Ka mungesë fondesh për rrugën Shëngjin-Velipojë, ashtu siç a për rrugën Shirokë-Zogaj dhe pretendojnë të na mashtrojnë prap me paraqitjen e skemave 3D për hyrjen e Shkodrës sikur do bëjnë mrekulli kur s’kanë lekë për të mbaruar këto që kanë filluar. Nuk e ka pasur asnjë pengesë nga Bashkia. Në kohë rekord i kemi dhënë lejet”, tha Spahia.