Aktualitet

SPAK: “Shtetasi nën hetim, Nuredin Dumani nuk ka deklaruar të dhëna për presidentin Meta!”

Përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK thekson se shtetasi Nuredin Dumani, nuk ka deklaruar asnjë të dhënë lidhur me Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Në vijim të interesimit të shtuar të medieve, në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim N.D. për Presidentin  e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se:Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.

SPAK fton mediat që të jenë të kujdesshme dhe të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje.

Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit N.D. në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit).

Në emisionin “Opinion”, gazetari Artan Hoxha u shpreh se “i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dëshmuar se Presidenti Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti”.

Dumani thotë se Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti të PS. Nuredini thotë se personat që kanë lidhje me këtë ngjarje kam njohje. Ai thotë se ka folur me një person e ai më ka thënë kështu. Unë nuk e besoj, por po të ketë ndodhur kjo është e rëndë. Fakt është se Aleksandër Ndoka është vrarë dhe ne nuk e dimë se kush e ka vrarë. Ai u vra në derën e shtëpisë. Ai ka folur dhe për politikanë të tjerë. Prokuroria duhet ta verifikojë.