Aktualitet

SPAK-u çon për gjykim djalin e një anëtari të ISIS-it/I dërgonte para babait në Siri!

SPAK-u mbylli hetimet e dërgoi për gjykim shtetasin Muhamet Manollari, i akuzuar për financim të terrorizmit në Siri. Në njoftimin zyrtar, ndër të tjera thuhet se “më 19 nëntor 2018, i pandehuri Muhamet Manollari, ka transferuar nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime financiare “transferta monetare” shumën prej 864 eurosh, në favor të shtetasit sirian me iniciale A.A.S, me qëllim për t’ia dërguar babait të tij Mehdi Manollari, i cili në atë kohë ndodhej në Siri dhe ka qenë pjesëmarrës i organizatës terroriste ISIS (besohet të ketë vdekur në vitin 2019)”.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Muhamet Manollari, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Financimi i terrorizmit”.

Nga aktet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Muhamet Manollari është djali i shtetasit Mehdi Manollari. Ky i fundit, në datën 5 maj 2013 është larguar nga Shqipëria për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës ISIS, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Shtetasi Mehdi Manollari është listuar në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit.

Në datën 19 nëntor 2018, i pandehuri Muhamet Manollari, ka transferuar nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime financiare “transferta monetare” shumën prej 864 euro, në favor të shtetasit sirian me iniciale A.A.S, me qëllim për t’ia dërguar babait të tij Mehdi Manollari, i cili në atë kohë ndodhej në Siri, dhe ka qenë pjesëmarrës i organizatës terroriste ISIS (besohet të ketë vdekur në vitin 2019).

“Për të dërguar këtë shumë parash, i pandehuri Muhamet Manollari, nuk ka përdorur emrin e tij, por ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A. N., e cila e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes, dhe shuma e parave është dërguar jo në mënyrë të drejtpërdrejtë shtetasit Mehdi Manollari (pasi ai ka qenë i listuar si person ndaj të cilit nuk mund të kryheshin transferta), por një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian A.A.S.”, thuhet në njoftimin e SPAK.