Aktualitet

Startojnë dy ditët e vaksinimit anti-COVID për moshat mbi 18-vjeç!

Nisin dy ditët e hapura të vaksinimit masiv anti-COVID me qytetarët mbi 18-vjeç. Nisma u paralajmërua tre ditë më parë nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe mësohet se përmes portalit e-Albania aplikuan mbi 23 mijë përsona për të marrë sot dhe nesër dozën e parë të njërës nga katër vaksinat e autorizuara në vendin tonë mes Pfizer&BioNTech, AstraZeneca, Sinovac e Sputnik V.

Sa i përket aplikimeve, 4 mijë i përkasin dy ditëve të fundit ndërsa 19 mijë rezultojnë të jenë bërë më parë se të dilte njoftimi për vaksinimin e të rinjve më 29 e 30 qershor.

Vaksinimi nisi në 08:00 të mëngjesit për të përfunduar në 20:00 të mbrëmjes. Një ditë më parë, në vendin tonë mbërritën 24.040 doza vaksinash duke e çuar totalin në 1,103,690. Sa i përket dozave të djeshme, 14.040 janë Pfizer, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare si dhe mbështetjes së Bashkimit Europian, ndërsa në mbrëmje mbërritën në ISHP, 10.000 doza të vaksinës AstraZeneca, mbështetje e Qeverisë së Kroacisë për vendin tonë.

E ndërsa vijon vaksinimi kundër koronavirusit, situata epidemiologjike mbetet e përmirësuar ndjeshëm. Një ditë më parë Ministria e Shëndetësisë raportoi vetëm një rast në 24 orë e asnjë humbje jete. Zyrtarisht, në të gjithë vendin janë 63 pacientë aktivë, njëri prej të cilëve po trajtohet në spital.