Bota

Suedia në zgjedhje politike, garë shumë e ngushtë mes socialdemokratëve e konservatorëve!

Suedezët me të drejtë vote, sot janë thirrur t’i drejtohen qendrave të votimit që të zgjedhin në një garë të paprecedentë mes partive. Socialdemokratët e qendrës së majtë në pushtet, po përpiqen të shmangin një sfidë të madhe nga forcat politike konservatore. Një sondazh i opinionit publik, i publikuar në fundjavë nga gazeta “Aftonbladet” tregoi që socialdemokratët e kryeministres Magdalena Andersson gëzojnë 49.6% të mbështetjes. Por, shumë pranë tyre është blloku konservator, i cili përfshin demokratët suedezë të krahut të djathtë, të njohur për qëndrimet kundër emigracionit, me 49.4% të votave.

Bazuar në pjesëmarrjen në zgjedhjet e fundit të përgjithshme të vitit 2018, kampet u ndanë me vetëm rreth 13 mijë vota. Drejtuesja e Institutit të Sondazheve “Demoskop”, Karin Nelsson shprehet se “është plotësisht një garë e barabartë”. Të tjera sondazhe të fundit zgjedhore në Suedi japin rezultate të ngjashme.

Transmetuesi publik SVT tha se “blloku i Anderssonit do të marrë 49.7% të votave, ndërsa rivali i saj, Ulf Kristersson 49.4%”. Gazeta “Dagens Nyheter” e ndan përqindjen në 50 me 48.2%.

Një rezultat i ngushtë do të çonte në bisedime të komplikuara për formimin e qeverisë, që sipas të gjitha gjasave do të udhëhiqen nga Andersson ose Kristersson, veteran politik, i cili kryeson partinë e moderuar të qendrës së djathtë.

Aktualisht, Andersson drejton një qeveri të pakicës vetëm nga socialdemokratët e saj. Forca politike mbështetet në përkrahjen e Partisë Liberale të Qendrës, si dhe të Majtëve e të Gjelbërve në Parlamentin e vendit, Riksdag, me 349 vende. Kohët e fundit, Kristersson filloi t’i përafronte interesat e tij me populistët e krahut të djathtë. Demokratët suedezë parashikohet të kalojnë të moderuarit e të marrin më shumë se 20% të votave, duke u dhënë atyre fuqi të paprecedentë për të formuar qeverinë.

Pothuajse 7.8 milion persona kanë të drejtë të votojnë mes orës 08:00 dhe 20:00. Rezultatet paraprake priten menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.