Aktualitet Bota

Sulmi në Rusi rikthen jehonën e terrorit në Perëndim!

Në mars të vitit 2019, milicitë kurdë dhe arabë, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, dëbuan luftëtarët e Shtetit Islamik nga fshati Baghuz në Sirinë lindore, që ishte bastioni i fundit i grupit militant.

Nga ajo kohë, ky grup – i cili në kulmin e tij, mes viteve 2014 dhe 2015, kontrollonte pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut – u shpartallua në disa celula, nga Afrika Perëndimore deri në Azinë Juglindore.

Dega që njihet si Shteti Islamik Khorasan dhe është aktive në Afganistan, Pakistan dhe Iran, mori këtë vit përgjegjësinë për dy sulme të mëdha.

Në janar tha se ka kryer sulmet e dyfishta me bomba në Kerman të Iranit, ku mbetën të vrarë së paku 84 persona dhe të plagosur qindra të tjerë.

Në datën 22 të këtij muaji, Shteti Islamik Khorasan mori përgjegjësinë edhe për sulmin në një sallë koncertesh në periferi të Moskës, ku u vranë 139 persona dhe u plagosën mbi 180 të tjerë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e përmendi me emër atë, por fajësoi ekstremistët për sulmin.

“Ne e dimë se krimi është kryer nga islamistët radikalë, ideologjinë e të cilëve vetë bota islame e ka luftuar me shekuj”, tha Putin.

Pas sulmit në Rusi, Qeveria e Francës mori vendim për të rritur alarmin për terror në nivelin më të lartë.

Në një postim në platformën X, kryeministri Gabriel Attal tha se vendimi është dakorduar duke pasur parasysh “përgjegjësinë që ka marrë Shteti Islamik për sulmin” pranë Moskës dhe kërcënimet “që rëndojnë mbi vendin tonë”.

Pas këtij njoftimi, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se personat e armatosur, që kryen sulmin në Rusi, kanë qenë pjesë e një dege të Shtetit Islamik, e cila ka bërë përpjekje të dështuara për të sulmuar Francën gjatë muajve të fundit.

Në Itali, Ministria e Brendshme e vendit tha, po ashtu, se policia do ta rrisë nivelin e vigjiliencës pas sulmit në Rusi.

“Në pritje të Festës së Pashkëve, është rënë dakord për intensifikimin e aktiviteteve të vëzhgimit dhe kontrollit nga policia. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet të gjitha objektivave të ndjeshme”, tha Ministria e Brendshme italiane.

Rreziku terrorist në Evropë, në fakt, është rritur që në muajt e fundit të vitit të kaluar, kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar Izraelin, duke nxitur një luftë brutale në Gazë.

Atëkohë, komisionarja evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, tha se shkaku i luftës midis Izraelit dhe Hamasit dhe polarizimit që shkakton ajo në shoqërinë evropiane, “ekziston një rrezik i madh për sulme terroriste në Bashkimin Evropian”.

Në Gjermani, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës tha se rreziku për sulme “është real dhe më i lartë seç ka qenë për një kohë të gjatë”.

Disa vende, përfshirë Belgjikën, Holandën dhe Suedinë ngritën alarmet e sigurisë.

Duke dëshmuar këtë muaj para një komiteti të Senatit amerikan, drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare në SHBA, Avril Haines, tha se kërcënimi nga Shteti Islamik mbetet shqetësim i konsiderueshëm.

“Al Kaida dhe Shteti Islamik, të frymëzuar nga Hamasi, i kanë udhëzuar mbështetësit të kryejnë sulme kundër interesave izraelite dhe amerikane. Ne kemi parë se si individët po frymëzohen të kryejnë akte antisemitike dhe terror islamofobik në të gjithë botën”, tha Haines.