Bota

Sulmohet stacioni i trenit në Donjeck të Ukrainës, 39 viktima!

39 persona humbën jetën dhe 100 të tjerë u plagosën nga një sulm rus me raketa në një stacion hekurudhor në Kramatorsk të rajonit të Donjeckut në Ukrainë. Shifrat i konfirmon kreu i rrjetit hekurudhor ukrainas, Alexander Kamyshin. Në momentin e sulmit, aty gjendeshin mijëra njerëz, në pritje për t’u larguar me tren. Moska hedh poshtë akuzat se qëndron pas sulmit të përgjakshëm.

Ukraina po përgatitet për një operacion të madh rus në lindje të vendit, tani që trupat pushtuese janë tërhequr nga zonat rreth kryeqytetit, Kiev. Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba paralajmëroi se beteja për rajonin e Donbasit do t’i ngjajë Luftës së Dytë Botërore. Kuleba u kërkoi vendeve të NATO-s të ofrojnë më shumë armë për të luftuar rusët.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca është e gatshme të rrisë mbështetjen, ndonëse nuk ka ofruar hollësi se për çfarë armësh bëhet fjalë. Ndërsa janë bërë publike më shumë masakra të kryera në zonat e kontrolluara më parë nga rusët, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pezulloi Moskën nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut.

Trupat ruse janë dëgjuar duke diskutuar për vrasjet e civilëve në qytezën ukrainase Buça në disa mesazhe që ka siguruar inteligjenca gjermane. Revista Der Spiegel shkruan se një pjesë e regjistrimeve në radio-lidhje, duket se ka të bëjë me vendet ku janë gjetur trupat e pajetë jashtë Kievit. Berlini zyrtar ende nuk ka komentuar. Mbi 300 civilë u vranë në Buça, por Moska mohon çdo përfshirje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka regjistruar mbi 100 sulme ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt. “Ne jemi të zemëruar që sulmet ndaj kujdesit shëndetësor vazhdojnë. Ato janë një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus. Përfaqësuesi i OBSH-së në Ukrainë, u shpreh se në të gjithë vendin, 1000 objekte shëndetësore ndodhen në afërsi të zonave të konfliktit.