Sport

Sylvinho: Shpirt dhe zemër, në Poloni për pikë!

Aventurën si trajner i Kombëtares, Sylvinho shpreson ta nisë me rezultat pozitiv. Më 27 mars, kuqezinjtë startojnë eliminatoret e Euro 2024-ës në Varshavë përballë Polonisë. Ndërsa shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar në Kombëtare për ndeshjen e pas 9 ditëve, braziliani i cili pret të debutojë në stolin kuqezi deklaroi:

Kemi parë rreth 240 ndeshje ku janë aktivizuar lojtarët shqiptarë, rreth 70 prej tyre. Një punë shumë e madhe për të arritur në listën me 24 lojtarë. Kam takuar lojtarët, jam i kënaqur me ta, jam i kënaqur edhe me Shtëpinë e Futbollit.

Sa i përket skemës do të vendosim këto ditë, pasi të shikojmë gjendjen e futbollistëve. Të rinjtë, Mehemti e Asani janë debutues, po ecin shumë mirë me ekipet e tyre. Kemi përzgjedhur 23 lojtarë, mund të luajmë me 4-3-3, 4-2-3-1 apo 3-4-3.

Sylvinho komentoi dhe ftesat e munguara për lojtarë si Mihaj, Doka, Çekiçi e Muçi.

Na duhet të bëjmë zgjedhjet tona, por të gjithë janë të rëndësishëm. Ne i kemi ndjekur e mund të na ndihmojnë në të ardhmen, por edhe tani. Ne vazhdojmë punën për ndeshjen me Poloninë, ndërsa këta lojtarë e jo vetëm i kemi nën mbikëqyrje.

Për trajnerin e Kombëtares, porta është problemi më i madh.

Strakoshën dhe Berishën i kam takuar, nuk kanë luajtur me ekipet e tyre, por janë lojtarë me eksperiencë e shumë të rëndësishëm. Kur të vijnë në grumbullim do të shoh gjendjen e tyre. Neve na duhen lojtarë me eksperiencë, të fortë dhe që të dy i plotësojnë këto kritere.

Ndaj Polonisë, Shqipëria do të ketë shumë mungesa, por për teknikun brazilian, kjo nuk përbën pengesë.

Ne do të luftojmë për çdo pikë, për të kapur kualifikimin. Polonia është skuadër e fortë, që merr pjesë në Europian e Botëror, por ne do të përgatitemi mirë, të shkojmë me dëshirën për të fituar, të japim zemrën e shpirtin në fushë. Vetëm kështu mund të arrijmë diçka.

I pyetur nëse e trembnin mungesat, komentoi:

Ka një ndryshim të madh me periudhën kur erdha, por kemi kaluar dy muaj. Eshtë bërë një punë e madhe dhe tani mund të them që i kemi idetë më të qarta. Presim të hënën për stërvitjen e parë, të njihem personalisht me lojtarët. Mungesat na penalizojnë, por për çdo rol do të përpiqemi të kemi 3-4 lojtarë në dispozicion. Të mos ankohemi për mungesat, por të përgatitemi për të marrë më shumë.

Kriteret e ndjekura për përzgjedhjet para:

Karakteristikat e lojtarëve dhe ekuilibri i ekipit. Sigurisht, edhe forca e kundërshtarit, por ekuilibri i ekipit është më i rëndësishëm.