Aktualitet Rajoni

Takim me kryeministrin Kurti në Prishtinë, Presidenti Meta apel për konkretizimin e marrëveshjeve ndërqeveritare!

Në vijim të vizitës zyrtare në Kosovë, e fundit si President i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta pati sot edhe një takim me kryeministrin Albin Kurti. Në një postim në rrjetet sociale, Kryetari i Shtetit në largim shkruan:

Duke vlerësuar marrëdhëniet vëllazërore mes vendeve tona dhe potencialin e jashtëzakonshëm për forcimin e tyre, theksova rëndësinë e konkretizimit efikas të marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara.

Jetik realizimi i projekteve të përbashkëta që afrojnë edhe më shumë qytetarët tanë, si ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë, me impakt në ekonominë e të dy vendeve e të rajonit, që do na bashkojnë më shumë dhe do të ndalnin hemoragjinë demografike që na ka prekur.

Nevojitet më shumë koordinim edhe në politikën e jashtme e rajonale, në përputhje me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Lidhur me bashkëpunimin rajonal, ndamë të njëjtin vlerësim në përkrahje vetëm të nismave gjithëpërfshirëse, sikurse Procesi i Berlinit. Kosova është bërë shembull i demokracisë, luftës kundër krimit e korrupsionit, sundimit të ligjit dhe europianizimit në rajon, e vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare, që meriton sa më parë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Ndërkohë, nesër presidenti i zgjedhur, Bajram Begaj do të marrë zyrtarisht detyrën nga para’ardhësi Ilir Meta. Presidenca dha detaje të organizimit të ceremonisë.

Presidenti Begaj do të mbërrijë në Presidencë rreth orës 19:15 dhe më pas dy presidentët do të zënë vend në tribunë ku do luhet dhe Himni Kombëtar nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, shoqëruar nga 21 të shtëna topi.

Vitore Tusha, kryetare e Gjykatës Kushtetuese i dorëzon Presidentit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe më pas Begaj do të mbajë fjalën e rastit.

Komandanti i Truprojës së Nderit i Forcave të Armatosura i paraqet forcën Presidentit. Kalim në revistë i Presidentit.

Presidenti i shoqëruar nga familja hyjnë në Presidencë dhe më pas parasikohet pritje zyrtare në oborrin e Presidencës.

Ceremonia në Presidencë do të paraprihet nga seanca plenare në Kuvend për betimin e Presidentit të ri të Republikës, Bajram Begaj.