Aktualitet Politikë

Dy ditë pas Konventës Kombëtare, Meta mbledh Kryesinë e PL: Të kthehemi në mekanizëm që fuqizon opozitarizmin!

Pas punimeve të Konventës Kombëtare, Ilir Meta ka mbledhur sot Kryesinë e Partisë të Lirisë. Meta shprehu falënderime për të gjithë pjesëmarrësit në konventë, ndërsa tha se programi i PL është një program që ndihmon shqiptarët.

Në fjalën e tij, Meta, tashmë i zgjedhur President i Partisë së Lirisë, tha se kjo forcë politike duhet të kthehet në mekanizëm për të fuqizuar opozitarizimin.

“Duhet të kalojmë në veprime”- tha Meta, duke njoftuar se nesër do mblidhet Komiteti Drejtues Kombëtar i Partisë së Lirisë.

“Të gjithë e ndoqën konventën tonë, na vjen keq për ata që u zhgënjyen nga mbarëvajtja e mrekullueshme. Shqiptarët panë një parti që ofron vetëm transparencë.

Ne kemi një program të shkëlqyer, që ndihmon shumë qytetarë të këtij vendi që të ketë standarde. Shqipëria ka diell për të gjithë, por kaq nuk mjafton. Kjo forcë politike duhet të kthehet në mekanizëm për të fuqizuar opozitarizimi”, tha ai mes të tjerash.

Ilir Meta u zgjodh të shtunën President i Partisë së Lirisë, pasi mori 691 vota në Konventën Kombëtare të kësaj partie nga 727 delegatë që kishin të drejtë vote. Ndërkaq, Erisa Xhixho tashmë është zyrtarisht figura e dytë duke marrë 680 vota dhe duke marrë postin si zëvendëspresidente e partisë. Pas zgjedhjes edhe të drejtuesëve të tjerë të partisë me parimin se liderët formohen në opozitë dhe jo në qeveri, ashtu siç pritej, u konfirmua gjithashtu se Monika Kryemadhi dhe bashkëpunëtorët e saj të ngushtë Endrit Brahimllari, Elona Guri dhe të tjerë, nuk janë më pjesë e strukturave të larta duke sjellë zyrtarisht një ndarje të madhe në këtë parti.