Rajoni

Talat Xhaferi sot merr detyrën si kryeministër i Maqedonisë së Veriut!

Për herë të parë në histori, sot në zyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut do të jetë një shqiptar, Talat Xhaferi merr detyrën nga kryeministri në largim, maqedonasi Dimitar Kovaçevski. Me mandat 100 ditor, qeveria teknike e drejtuar nga Xhaferi u votua dje në parlament me 65 vota pro, tre kundër dhe asnjë abstenim.

Në prezantimin e programit të punës, Talat Xhaferi tha se prioritet do të jetë zbatimi i zgjedhjeve presidenciale e parlamentare, të ndershme dhe demokratike, sundimi i ligjit e respektimi i Kushtetutës, si dhe promovimi i marrëdhënieve strategjike me BE-në, SHBA-të e NATO-n.

Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Për mua si mandatar, pa marrë parasysh nëse do ta drejtoj këtë qeveri një apo 100 ditë, unë këtë detyrë, këtë përgjegjësi dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje. Për asnjë moment nuk do të lëshoj pe nga ajo që nënkupton qeveri efikase, funksionale dhe përgjegjëse. Unë dhe qeveria do të vazhdojmë të punojmë për realizimin me sukses dhe efikasitet të plotë të politikave të qeverisë.

Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike, që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Europian. Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet. Do të jemi transparent në punën tonë dhe me financat publike. Problemet e qytetarëve në nivel lokal, pavarësisht se të cilës komunë i takojnë do të kenë mbështetjen e plotë të pushtetit qendror.

Talat Xhaferi u lind më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit. Ka përfunduar Akademinë Ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 shërbeu si drejtues i lartë në Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq, nga viti 1992 deri më 2001-shin ishte oficer i Armatës së Maqedonisë.

Gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë deputet nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Nga viti 2004 deri më 2006-ën, shërbeu në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2008, Xhaferi sërish u zgjodh deputet, ndërsa më 2013-ën u emërua ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Nikolla Gruevskit.

Nga viti 2014 deri në vitin 2016 sërish ushtroi postin e deputetit në parlament, ndërsa më 27 prill 2017 u zgjodh kryetar i Parlamentit të Maqedonisë, post të cilin e mbajti deri në marrjen e mandatit për formimin e qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut.