Bota

Talebanët po i afrohen Kabulit, militantët po bëjnë listën e femrave beqare!

Me trupat amerikane që do të largohen përfundimisht deri në fund të muajit dhe ambasadat që po evakuohen, talebanët vazhdojnë të përparojnë në Afganistan. Tashmë, kontrollojnë pjesën më të madhe të territorit e janë shumë pranë kryeqytetit Kabul. Shqetësimi është i madh, mes dëshmive se talebanët injektojnë heroinë para të gjithëve para se të presin kokat e atyre që i kanë kundërshtarë.

Edhe për femrat, situata nuk duket aspak premtuese, sidomos për ato të shkolluara që gëzojnë liri e janë shënjestër kryesore e militantëve.

Nahal, pak më shumë se 30-vjeçe, ka studiuar në Afganistan e më pas jashtë dhe aktualisht punon për një organizatë ndërkombëtare në kryeqytetin afgan. Ajo jeton me motrën e babain pasi nëna i ndërroi jetë nga një sëmundje e pashërueshme.

Babai gjithnjë na ka rritur të lira. Kur talebanët morën pushtetin për herë të parë, në vitin 1995, na dërgoi në Pakistan që të studionim. Edhe kur u kthyem në Kabul, prioritet kishte arsimimin tonë, që të zgjidhnim rrugën e preferuar.

Nahal dhe motra e saj Mahvash, e cila punon gazetare nuk janë të martuara siç e kërkon tradita dhe dalin të pashoqëruara, por e gjitha kjo mund të ndryshojë së shpejti.

Nëse vijnë talebanët, mund të jemi të detyruara të martohemi. Këtu në Kabul po hartojnë lista me emra vajzash që ende janë beqare. Dëgjojmë histori të tmerrshme të femrave që merren me forcë për t’u martuar me burra që nuk i njohin dhe po mendojmë arratisjen. Na kanë rekomanduar të udhëtojmë për në Iran, por për momentin kjo është e rrezikshme.