Bota

Telashe ligjore serioze për Hunter Biden, djalin e presidentit amerikan!

Aktakuzë kundër Hunter Biden-it, djalit të presidentit amerikan, Joe Biden, i dyshuar se gënjeu gjatë blerjes së një arme zjarri. Ai përballet me tre akuza, pasi dështuan përpjekjet për të arritur marrëveshje lidhur me pranimin e fajësisë.

Hera e parë që fëmija i një presidenti në detyrë përballet me aktakuzë penale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Akordi i planifikuar për pranimin e fajësisë në zgjidhjen e akuzave me të cilat përballej në lidhje me armën dhe taksat, papritur dështoi në muajin korrik.

Të tre akuzat kanë të bëjnë me dyshimet se Hunter Biden gënjeu në formularët kur bleu një armë zjarri në kohën kur ishte përdorues i drogës.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se Hunter Biden gënjeu në formularët e detyrueshëm federalë kur bleu një pistoletë në një dyqan armësh në Delaware, në tetor të vitit 2018. Në atë kohë ishte përdorues i kokainës.

Sipas ligjeve federale në SHBA, është krim të gënjesh në dokumente të tilla apo të mbash armë zjarri teksa je përdorues i drogës. Më herët, pranoi akuzat gjatë bisedimeve për marrëveshjen tashmë të dështuar të pranimit të fajësisë, një marrëveshje dypjesëshe e arritur mes prokurorëve dhe ekipit ligjor të Hunter Biden-it në qershor.

Sipas akordit, ai do të akuzohej për dy shkelje, përfshirë dështimin për t’i paguar taksat në kohë, në vitet 2017 e 2018. Për më tepër do të ishte detyruar ta pranojë akuzën për armëmbajtje të paligjshme. Kjo aktakuzë është e para e ngritur nga prokurori i posaçëm Davis Weiss, i cili u emërua në gusht nga Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland.

Weiss paralajmëroi se synonte të ngrinte aktakuzë ndaj Hunter Biden-it deri më 29 qershor. Telashet ligjore të Biden-it të ri janë bërë çështje që kanë hapur shumë polemika në politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kohën kur babai i tij po kërkon të rizgjidhet president, vitin e ardhshëm.