Bota

Tensione në xhaminë Al Aksa!

Policia izraelite hyri në xhaminë Al-Aksa në Jeruzalem për të larguar protestuesit palestinezë, ndërsa rinisën vizitat e hebrenjve në këtë vend të shenjtë, pas një ndërprerjeje gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe Fitër Bajramit. Në javët e fundit pati një sërë përleshjesh në kompleksin Al-Aksa, që është vendi i tretë i shenjtë për myslimanët, i ndërtuar në majën e një kodre. Po ashtu, konsiderohet vendi më i shenjtë i hebrenjve, të cilët i referohen si Mali i Tempullit.

Ndërsa rifilluan vizitat e hebrenjve, dhjetëra palestinezë u mblodhën pranë xhamisë duke thërritur: “Zoti është i madh!”. Përplasjet nisën pasi policia izraelite arrestoi një protestues palestinez. Agjentët përdorën plumba gome dhe palestinezët u strehuan në mjediset e brendshme të xhamisë. Më pas, forcat policore u panë brenda hyrjes së objektit të kultit.

Policia izraelite njoftoi se u kundërpërgjigj kur protestuesit hodhën gurë drejt forcave të rendit dhe një prej tyre mbeti i lënduar lehtë. Por, dëshmitarët palestinezë pretenduan të kundërtën. Ata thanë se nuk hodhën gurë në drejtim të policisë para se të ndërhynte. Ndërkaq, disa palestinezë që u strehuan në xhami u panë duke hedhur gurë për të goditur efektivët izraelitë.

Sipas një marrëveshjeje joformale, hebrenjtë lejohen që ta vizitojnë Al Aksanë, jo të luten aty. Vitet e fundit, një numër gjithnjë e më i madh i hebrenjve po shkojnë në këtë vend të shenjtë, të shoqëruar nga policia. Vizitat e tyre kanë zemëruar palestinezët, si edhe Jordaninë fqinje, e cila është përgjegjëse për ruajtjen e Al-Aksas. Palestinezët thonë se Izraeli synon që ta marrë nën kontroll këtë xhami. Por, Izraeli shprehet se dëshiron ta respektojë marrëveshjen aktuale dhe akuzon grupin militant islamik, Hamas, për dhunën e fundit. Vizitat e hebrenjve, që rinisën sot ishin pezulluar gjatë dhjetë ditëve të fundit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe në festën e Fitër Bajramit.

Në Izrael, po sot shënohet Dita e Pavarësisë dhe orët e fundit disa grupe ekstremiste u bënë thirrje besimtarëve hebrenj, ta kremtojnë këtë ditë duke valëvitur flamujt e Izraelit, në brendësi të këtij vendi të shenjtë. Thirrjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale.