Rajoni

Tensionet në veri të Kosovës, pjesë e progres-raportit të KE-së!

Raport Progresi i këtij viti i Komisionit Europian e që publikohet nesër, përshkruan me kujdes tensionet në veri të Kosovës. Dokumenti del në përfundim se të dyja palët kanë ndikuar që të ketë kriza, për shkak të veprimeve të tyre.

Kosova ndikoi në rritjen e tensioneve, me praninë e shtuar të njësive speciale të Policisë, si dhe me ligjin për shpronësim në veri, ndërsa Serbia me tërheqjen e serbëve nga institucionet e bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Në veçanti, raporti flet për ngjarjen më të rëndë të kësaj periudhe; sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Edhe pse në deklaratat publike të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, ky sulm është cilësuar “terrorist“, Raporti i Progresit i referohet vetëm si “sulm i dhunshëm“ ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa brenda në tekst, si një “operacion i madh kundër kontrabandës së armëve”.

Kriza më serioze gjatë periudhës që përfshin raporti, ndodhi më 24 shtator 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga individë të armatosur rëndë, të cilët u zunë në befasi gjatë një operacioni të madh të trafikimit të armëve, duke lënë një polic të vrarë e tre të plagosur. Gjatë operacionit, sulmuesit morën peng disa besimtarë kur u strehuan në manastirin ortodoks serb në Banjskë. Kur u larguan, i liruan.

Raporti i bën thirrje Serbisë për bashkëpunim të plotë në hetime dhe t’i nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit.

Sulmi nuk duhet të shërbejë si një arsyetim për palët në largimin e vëmendjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekjet domethënëse për shtensionimin, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës.

Përparimi i “kufizuar” i Kosovës

Sa i përket përparimeve e arritura nga Kosova në fushat që i mbikëqyr Komisioni Europian, “përparim i kufizuar” është arritur në luftën kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, në luftën kundër krimit të organizuar e në lirinë e shprehjes. Në të shumtën e rasteve, raporti thekson se nuk ka pasur sa duhet rezultate në zbatim, ndonëse pati përparim në miratimin e kornizës ligjore.

Raporti vlerëson se Kosova ka dështuar ta reformojë aministratën publike duke nënvizuar se “nuk ka pasur përparim” në këtë fushë.

Situata politike në Kosovë vlerësohet si e qëndrueshme.

Lëvizja Vetëvendosje gëzon një shumicë të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës, duke i mundësuar të çojë përpara një axhendë ambicioze të reformave europiane.

Kosova vlerësohet për reformën e ligjit zgjedhor.  Si problem kronik, përmendet pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës, si pasojë e mungesës së kuorumit, edhe pse partia në pushtet ka shumicën e nevojshme në Kuvend.

Problem i veçantë edhe në punën e Kuvendit është bojkoti i deputetëve serbë, të cilët shkojnë vetëm sa për të ruajtur mandatet, por vazhdojnë bojkotin.

Raporti jep disa vërejtje në fushën e lirisë së mediave kur përmend sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, problemet me financimin e mediave e që i bën të ndjeshme ndaj ndikimeve të interesave politike apo financiare, si edhe mungesa e transparencës mbi pronësinë e mediave. Si shqetësim i veçantë në raport përmendet gjendja e lirisë së mediave në veri të Kosovës.

Në takimin e Kolegjit të 27 eurokomisionerëve, nesër do të miratohet paketa e zgjerimit, bashkë me raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e përfshira në procesin e Zgjerimit.

Eshtë hera e parë që raportet do të miratohen për 10 vende që janë në këtë proces: Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Pastaj vijnë Moldavia, Gjeorgjia e Ukraina, ndërsa raport i progresit i bëhet ende edhe Turqisë që vazhdon formalisht të ketë statusin e vendit kandidat.