Rajoni

Votimi në veriun e Kosovës, ja sa persona votuan deri në orën 11:00!

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se deri në orën 11:00, në katër komunat në veri të Kosovës, vetëm 85 persona morën pjesë në votimet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë. Ky proces po mbahet në kohën kur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e Beogradit, bëri thirrje për bojkotim të votimeve në katër komunat me shumicë serbe.

Në Leposaviç votuan 46 persona, në Mitrovicën e Veriut 32, në Zubin Potok 7 ndërsa në Zveçan, asnjë. Qendrat e votimit janë të hapura dhe vazhdojnë të presin qytetarë.

Më herët gjatë ditës, rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se ka interesim minimal të qytetarëve.

Procesi i votimit, deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk është se vërehet interes nga qytetarët për pjesëmarrje në proces të votimit.

Procesin e votimit në veri po e vëzhgon edhe Bashkimi Europian përmes 17 ekipeve me 60 anëtarë. Ndërkaq, për Radion Evropa e Lirë, policia konfirmoi se situata e sigurisë në veriun e Kosovës është e qetë. Zv.drejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani:

Nuk ka pasur asnjë problem sa i takon procesit të votimeve. Edhe dje edhe sot situata është e qetë e në fakt nuk kemi pasur ndonjë informacion që neve na lidhet me destabilizim të situatës. Kemi policë të mjaftueshëm nëse ka nevojë për reagim.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të para një viti, që u zhvilluan pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targat të Qeverisë së Kosovës, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Për rrjedhojë, drejtimin e Leposaviçit e mori Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, udhëheqja e Zveçanit iu besua Ilir Pecit po nga PDK-ja, ndërsa në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në maj 2023, kur këta kryetarë, me përjashtim të Atiqit, shkuan në zyrë për të nisur punën, u përballën me revoltën e popullatës lokale. Serbët protestuan para objekteve komunale, që funksiononin sipas sistemit serb.

Situata u përshkallëzua më 29 maj 2023 në Zveçan, pas përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra serbë e ushtarakë u lënduan. Faktori ndërkombëtar i bëri thirrje Kosovës që të organizojë votime të reja.

Në shtator 2023, qeveria e Kosovës nxori një udhëzim administrativ që u mundësonte qytetarëve të ndiqnin disa procedura për të shkarkuar kryetarët.

Sipas udhëzimit, përmes peticioneve, serbët mbledhin 20% të firmave të nevojshme nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar dhe KQZ-ja caktoi 21 prillin si datë të votimit. Po referuar udhëzimit, duhet 50% plus një votë nga lista e votuesve që të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse. Më pas, rezultati i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila ka afat nga 30 deri në 45 ditë që të shpallë zgjedhjet e reja.

Kur KQZ-ja nisi procedurat për organizimin e votimeve, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e që gëzon mbështetjen e Beogradit, më 7 prill njoftoi se do të bojkotonte votimet. Kryetari Zllatan Ellek u ankua se autoritetet kanë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”, duke argumentuar se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti, sepse ka bërë gjithçka që të dështojë.

Ditët në vijim, Lista Serbe tërhoqi anëtarët e saj nga Komisionet Komunale Zgjedhore. Vendimi për të bojkotuar votimet u kritikua nga Bashkimi Europian, që i bëri thirrje Listës Serbe ta rishqyrtojë e të mos bëjë thirrje për bojkot.