Aktualitet Travel

“The Sun” i prezanton britanikëve Shqipërinë e peizazheve, historisë dhe çmimeve të lira!

Shqipëria, popullariteti i të cilës vazhdon të rritet po kthehet në një pikë e re turistike, falë çmimeve të lira, peizazheve të mahnitshme dhe historisë magjepsëse, shkruan Hope Brotherton në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Sun”.

Ndërsa vende si Spanja dhe Greqia kanë qenë ndër destinacionet e preferuara të britanikëve prej vitesh, vendi europian shpesh është anashkaluar. Shqipëria krenohet me historinë e saj magjepsëse, peizazhet e mahnitshme natyrore dhe plazhet me ujëra të pastër kristal.

Pavarësisht se një pjesë e madhe e pushuesve britanikë po e zbulojnë tani vendin mesdhetar, popullariteti i Shqipërisë ka qënë në rritje vitet e fundit. Sipas të dhënave të Bordit Turistik Shqiptar, vendi priti 8,3 milion vizitorë në vitin 2023, një rritje prej 4 milionësh krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa shumica e pushuesve dynden në Ksamil, Himarë dhe Sarandë në Rivierën Shqiptare, popullariteti i kryeqytetit të vendit, Tiranës po rritet falë çmimeve të përballueshme. Sipas një ekipi të ekspertëve të udhëtimit, Tirana ofron birrat më të lira në Europë, një krikëll kushton 2,06 paund. Po ashtu, ekspertët e udhëtimit kanë zbuluar se pushuesit mund të porosisin një vakt me tre pjata për vetëm 20,63 paund për person.

Ushqimi tradicional

Një nga gatimet kombëtare të vendit është tava e kosit, një pjatë me mish qengji të pjekur e shërbyer me një salcë kosi të aromatizuar. Të tjera pjata tradicionale përfshijnë byrekun, një ushqim i shijshëm i bërë nga shtresa të holla brumi dhe i mbushur me një sërë përbërësish si djathë, spinaq e mish me erëza. Gjithashtu, pushuesit duhet të provojnë ëmbëlsirën e quajtur trileçe, një puding i pjekur i bërë nga tre lloje të ndryshme qumështi. Përveç ushqimeve dhe pijeve me çmime të volitshme, kryeqyteti ju ofron një sërë aktivitetesh të tjera.

Muzetë magjepsës

Një nga vendet magjepsëse është Bunk’Art 1, një bunker masiv i Luftës së Ftohtë i kthyer në muze. Diktatori komunist Enver Hoxha ndërtoi pallatin e madh pesëkatësh të nëndheshëm për të mbrojtur veten dhe zyrtarët e tjerë të lartë në vitet 1970.

Bunkeri u hap si një atraksion turistik në vitin 2014 e tani strehon ekspozita të historisë moderne, si dhe pjesë të artit bashkëkohor. Gjithashtu, turistët mund të vizitojnë Bunk’Art 2, i hapur kohët e fundit.

Një tjetër atraksion i njohur turistik është teleferiku në Malin e Dajtit e që ndodhet vetëm 15 minuta nga qendra e qytetit. Artikulli veçon edhe sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës.

Akomodimi është gjithashtu i lirë, ku një natë kushton mesatarisht 38 paund për një natë.

​Gjuha vendase është shqipja, megjithëse anglishtja flitet në shumicën e hoteleve, restoranteve dhe atraksioneve turistike.