Aktualitet Travel

“The Times” rekomandon Shqipërinë, vendin për të mos u humbur këtë verë!

Në një artikull për gazetën e njohur britanike “The Times”, Shqipëria përshkruhet si një vend i jashtëzakonshëm turistik. Kështu shkruan Paul Bloomfield, i cili vendin tonë e ka eksploruar gjatë një turi me biçikletë. Përvojën e kaluar në shumë zona të vendit, e cilëson “të jashtëzakonshme”.

Në mes të një ekspedite çiklizmi rreth jugut të këtij vendi ballkanik dikur të izoluar do të isha mësuar me rreziqet e rrugës. Shumica e shoferëve shqiptarë janë të respektueshëm për ata që ngasin biçikletat, madje mirëpritës dhe gropat e dikurshme që gëlltitnin kamionët, në përgjithësi janë të mbushura tani dhe pengesat, më piktoreske. Tufa rosash, fermerë të nderuar me gomerë që mbajnë arka me pjepra ose mollë, madje dhe një breshkë e pakujdesshme që dremit në asfaltin e ngrohtë.

Në jugun kryesisht bujqësor të Shqipërisë, çiklizmi është një gëzim dhe kryesisht i pazbuluar. Turi im tetëditor me guidë në qytetet, peizazhet dhe vendet antike më magjepsëse të Shqipërisë së jugut, duke qëndruar në bujtina karakteristike e hotele me katër yje, më lejoi të shihja këtë vend të jashtëzakonshëm nga malet dhe qytetet e tij në majë të kodrave.

Nisëm në Tiranë. Në sheshin e gjerë “Skënderbej”, statuja e Heroit Kombëtar është nën hijen e Muzeut Historik Kombëtar ku punëtorët socialistë, gratë dhe luftëtarët krenarë shohin ashpër këmbësorët nga mozaiku mbi hyrjen e muzeut. Përtej sheshit, xhamia elegante e shekullit XVIII-të e Et’hem Beut dukej “e turpshme” në krahasim me muzeun dhe statujën.

Një histori e gjatë pushtimi dhe grindjesh ku përfshihen ilirët, grekët, romakët, bizantinët, venecianët, turqit, italianët, Gjermania naziste dhe regjimi shtypës i diktatorit komunist Enver Hoxha, ndjekur nga anarkia e vitit 1997 mund të mos ketë lënë shumë bukuri urbane.

Por, ka krijuar një kulturë e gjuhë të ndërlikuar magjepsëse. Me jo më pak se 36 shkronja dhe një gramatikë të pakuptueshme për të gjithë, përveç folësve vendas, shqipja nuk është për fillestarët.

E para rrugë e jona e lehtë ishte zbritja nga Qafë Thana në Liqenin e Ohrit. Duke iu afruar kufirit të Maqedonisë së Veriut në skajin jugor të liqenit, një tjetër kulturë u bë e dukshme: bunkerët. Nga vitet 1960, kur fillimisht Hoxha u ndesh me Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën, “kërpudhat” e tunelet e betonit u shumuan. Me vdekjen e tij më 1985-ën, qindra mijëra kishin “mbirë” në të gjithë vendin.

Në Korçë, bredhim në pazarin e restauruar ku dy shekuj më parë, qindra dyqane shisnin mallra të ndryshme të Perandorisë Osmane. Në një restorant, duke ngrënë djathë të pjekur, u gëzuam me këngë popullore melankolike që kujtonin thënien “Qyteti i Serenatave”. Si kudo, ushqimet dhe pijet freskuese ishin me çmime të volitshme.

Dita tjetër na çoi mes majave të mbuluara me ah dhe pisha, statujat e kaluara që përkujtonin partizanët e Luftës së Dytë Botërore që luftuan pushtimin gjerman. Atë natë hëngrëm troftë në një bujtinë, para se të vendoseshim në kabina druri.

Më pas, arritëm në një terren alpin më të lartë ku përpara nesh ngrihej muri i bardhë gëlqeror i malit të Nemerçkës, ndërsa pedalonim lart mbi lumin Vjosa, pastaj midis rrushit të zi të errët për të arritur në Bënjë. Këtu kaluam një urë madhështore osmane për t’u zhytur në ujërat termale sulfurore që besohet se bëjnë mirë për veshkat, mëlçinë dhe stomakun e sigurisht janë qetësuese për gjymtyrët.

Duke vazhduar në jug, pemishtet u zëvendësuan me ullishte përpara ngjitjes sonë përfundimtare në qendrën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, në Gjirokastër.

Ky qytet i lashtë ofron pamje spektakolare nga lugina e Drinos deri në malin e Lunxhërisë dhe mbi shtëpitë osmane të lagjes së vjetër, me çatitë e tyre të veçanta me pllaka guri.

Pazari dhe rrugët me kalldrëm të qytetit më tërheqës të Shqipërisë janë dëshmi e një kulmi osman. Më pas, tregtarët e pasur ndërtuan pallate si Shtëpia e Skendulëve, e cila ende ka një dhomë martese të pikturuar bukur me lule shege.

Por, qendra e vërtetë historike e Shqipërisë shtrihet 25 milje në jug, Butrinti e ku një traget me zinxhirë kërcitës na çoi në zonën arkeologjike.

Te “Eneida”, Virgjili shkroi për të se para tij pa “Trojën në miniaturë”.

Kjo ishte përpara se grekët, romakët, bizantinët, venecianët dhe osmanët të shtonin banja, teatro, tempuj, mozaikë, ujësjellës, kulla e mure të fuqishme kështjellash.

Megjithatë, për shumë njerëz plazhet joshin më shumë se bazilikat dhe bregdeti jonian i Shqipërisë tërheq ata që adhurojnë diellin. Duke ecur me biçikletë lart mbi breg gjatë dy ditëve në vijim, me mall soditëm ngjyrat e shndritshme që rrethonin plazhet e shumtë.

Në Sarandën plot zhurmë, vendpushim tipik mesdhetar me diell, det dhe rërë hëngrëm ushqime deti të shkëlqyera. Por, unë preferova ndalesën tonë të parafundit, Himarën.

Pika më e lartë erdhi në ditën tonë të fundit. Ngjitja prej 1 mijë metrash në Qafën e Llogorasë paraqet një sfidë të vështirë për çiklistët dhe unë isha mirënjohës për shpërqendrimet e pamjeve gjithëpërfshirëse të bregdetit, ndërsa kaloja koshere bletësh blu e të verdha dhe vendasit që mblidhnin rigon të egër buzë rrugës.

Ujqërit, drerët e shqiponjat e arta mund të dallohen në pyjet me pisha të Parkut Kombëtar të Llogorasë. Isha i pavëmendshëm ndaj jetës së egër e në vend të kësaj më emociononte një tatëpjetë e gjatë dhe e shpejtë në Gjirin e Vlorës krahas pishinës së lezetshme të hotelit që na priste.