sport

Tirana thyhet në kryeqytet, Teuta e mposht edhe me 10 lojtarë! Vllaznia në krizë, Kastrioti i vendit të fundit e mposht në Shkodër

E shtuna ka rezervuar dy befasi të mëdha në Superligë duke filluar me Tiranën kampione në fuqi dhe njëkohësisht kryesues e këtij sezoni që është mposhtur 0-2 nga Teuta.

Në ‘Air Albania’ bardheblutë fillimisht do ndëshkoheshin në minutën e 10 nga Emiljano Vila, i cili përfitoi nga një top vakant për të zhbllokuar sfidën. Në vijim të besuarit e Shehit këmbëngulën pak, por për ‘djemtë e detit’ situata do komplikohej në pjesën e dytë kur Gruda doli me karton të kuq.

Gjithsesi atëherë kur nuk pritej, 6 minuta pas këtij episodi, ishte sërish Vila i cili konkretizoi një kundërsulm, duke siguruar edhe 3 pikët për Teutën.

Pavarësisht humbjes, pas javës së 23, Tirana mbetet kryesuese e Superligës me 3 pikë më shumë se Partizani, pasi të kuqtë të premten humbën 1-0 kundër Kukësit.

Ndërkohë situata mbetet tejet e komplikuar edhe për Vllazninë. Shkodranët që pas fitores me Tiranën nuk po arrijnë të ngrenë kokë, pasi këtë herë janë mposhtur 0-1 nga Kastrioti i vendit të fundit në shtëpi.

Në ‘Loro Boriçi’ përcaktoi goli i Mihanës në minutën e 30. Për krutanët kjo fitore ishte jetike, pasi afrohen ndjeshëm me Bylisin e vendit të parafundit.

Në dy sfidat e tjera të kësaj jave Bylis u mposht 2-3 në shtëpi nga Egnatia, ndërsa Erzeni barazoi 1-1 me Laçin në Durrës.