Sociale

Tjetër konkurs te Mjekësia, plotësohen kuotat për trojet, më shumë vende se kandidatë

Një tjetër konkurs elektronik do të zhvillohet për degën e Mjekësisë së Përgjithshme. Bëhet fjalë për plotësimin e kuotave të miratuara për kandidatët që vijnë nga trojet shqiptare. Universiteti i Mjekësisë ka njoftuar se testimi elektronik do të zhvillohet të hënën e 18 shtatorit, pranë qendrës së shërbimeve arsimore aty ku u mbajt edhe konkursi për maturantët nga Shqipëria.

Kandidatët nga trojet shqiptare që kanë aplikuar pranë Fakultetit të Mjekësisë në kuadër të pranimit në programin e integruar të studimit “Mjekësi e Përgjithshme” do të zhvillojnë testimin e informatizuar pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore, në datën 18 shtator 2023 në orën 12.Gjatë zhvillimit të testimit kandidatëve ju ndalohet :-mbajtja dhe përdorimi i celularëve apo mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të testimit, pasi kjo vlerësohet si kriter moskualifikimi-ndalohet komunikimi me kandidatët e tjerë gjatë zhvillimit të testimit -ndalohet lëvizja përtej vendit të përcaktuar për zhvillimin e testimit-ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e testimit

Këtë vit kuotat për trojet për degën e Mjekësisë janë më shumëse numri i kandidatëve konkurrues. Qeveria ka miratuar 30 të drejta studimi për të rinjtë nga trojet, ndërsa në konkurs marrin pjesë 23 kandidatë. Jo të gjithë mund të rezultojnë fitues ndaj për kuotat e lira do të ketë një tjetër vendim nga Universiteti i Mjekësisë. Ndërkohë vendet për këtë program studimi për të rinjtë nga Shqipëria janë mbyllur që në fazat e para të regjistrimit. Ndërsa Universitetet që kanë ende kuota të lira vijon raundi i dytë i regjistrimeve.