Aktualitet

U sulmua nga qentë, ndërron jetë 84-vjeçari në spitalin e Durrësit!

Ndërron jetë i moshuari i cili u sulmua nga dy qen pitbull në lagjen numër 13, në zonën e Plazhit në Durrës në datën 2 nëntor. Për fat të keq, 84-vjeçari gjeti vdekjen ditën e sotme, pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të shumta të marra në kokë dhe trup, duke humbur jetën në reanimacionin e Spitalit Rajonal të Durrësit.

Viktima H.B. ishte duke ecur në rrugë kur dy qentë e sulmuan agresivisht. Menjëherë kanë ndërhyrë banorë të zonës, të cilët janë përpjekur të ndihmojnë të moshuarin, i cili mori plagë të rënda.

Pronari i qenve pitbull që sulmuan të moshuarin është vënë në pranga. Ndaj 44-vjeçarit me iniciale A.L. rëndon vepra penale “Braktisja e kafshës të shoqërimit”.

Eshtë e qartë se qentë endacakë dhe jo vetëm, shpesh bëhen shkak shqetësimi për qytetarët, që duhet të përballen me frikën e sulmeve të papritura.

Më parë, pre e sulmeve nga qentë kanë rënë edhe fëmijët. Një 10-vjeçar u kafshua në vitin 2021 në mënyrë makabre nga një qen endacak. Ai ishte duke luajtur me shokët e lagjes, në rrethinat e Tiranës, kur një qen agresiv e sulmoi papritur. Një tjetër u sulmua në rrugën “Llambi Bonata”, nga një qen, të cilin pronari e kishte lënë të lirë.

Problem mbetet braktisja ose mungesa e ruajtjes së qenve të racave të rrezikshme nga pronarët e tyre. Çdo muaj, në bashkitë e vendeve, sidomos në kryeqytet ka denoncime nga qytetarët, për qentë e braktisur në rrugë të racave agresive si pitbull, rottweiler, doberman etj, të cilët cilësohen si të rrezikshëm.