Rajoni

Ulja e tensioneve Kosovë-Serbi, kryeministrat e Holandës e Luksemburgut vizita në dy vendet!

Sot dhe nesër, Serbinë e Kosovën i vizitojnë kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel. Pas një ndalese në kryeqytetin kroat Zagreb, Rutte dhe Bettel do të qëndrojnë në Beograd, për takime me zyrtarët më të lartë serbë, presidentin Aleksander Vuçiç dhe kryeministren Ana Bërnabiç. Ndërkaq, nesër shkojnë në Prishtinë, për të takuar presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.

Vizita e dy kryeministrave europianë ishte planifikuar para disa muajsh. Por, duket se do ta shfrytëzojnë për të dërguar mesazhin e Bashkimit Europian dhe NATO-s ndaj liderëve në Kosovë e Serbi lidhur me nevojën e uljes së tensioneve, qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe kthimin në dialogun që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Në këtë vizitë ishte planifikuar të merrte pjesë dhe kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo. Por, e anuloi pjesëmarrjen për shkak të një krize të brendshme politike.

Sipas burimeve diplomatike, vizita ishte planifikuar si “një qasje e përbashkët e vendeve të BENELUKS-it” në disa çështje të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Holanda, Belgjika e Luksemburgu janë shumë të interesuara për një bashkëpunim të ngushtë, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me emigracionin.

Përveç procesit të integrimit europian të shteteve të rajonit, gjithnjë vendet e BENELUKS-it kanë qenë të interesuara që këto shtete të bashkëpunojnë në ndaljen e emigrimit masiv drejt Bashkimit Europian, riatdhesimin e qytetarëve të tyre që ilegalisht qëndrojnë në BE dhe bashkëpunimin me  vendet në fjalë, në luftën kundër trafikut.

Ndonëse në këtë vizitë nuk do të jetë kryeministri belg, shefat e qeverive të Holandës e Luksemburgut do të paraqesin edhe qëndrimet e Belgjikës. Tradicionalisht, këto tre shtete bashkëveprojnë në shumë çështje të politikës së jashtme e kanë qëndrim të përbashkët edhe brenda BE-së, sa herë që kjo përshtatet me interesat e tyre kombëtare.

Vizita e liderëve të Holandës e Luksemburgut vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.