Bota

Më shumë vende ndërpresin fondet për agjencinë e OKB-së për palestinezët!

Britania e Madhe, Italia, Holanda, Finlanda dhe Gjermania iu shtuan vendeve që ndaluan fondet për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), pas akuzave se disa pjesëtarë të personelit të saj ishin të përfshirë në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Kanadaja njoftuan më herët se i kishin ndërprerë, pas akuzave nga Izraeli. Agjencia hapi hetim për disa punonjës e ndërpreu lidhjet e punësimit me ta.

Duke bërë thirrje për pezullime të mëtejshme të fondeve, ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, tha se UNRWA duhet të zëvendësohet sapo të përfundojnë luftimet në enklavë dhe akuzoi UNRWA-n për lidhje me militantët islamikë në Gaza.

Në procesin e rindërtimit të Gazës, UNRWA duhet të zëvendësohet me agjenci të përkushtuara ndaj paqes dhe zhvillimit të vërtetë.

Një zëdhënës i OKB-së, Farhan Haq u përgjigj:

Ne nuk i përgjigjemi retorikave. UNRWA në përgjithësi ka një histori të gjatë pozitive, të cilën ne e kemi theksuar në mënyrë të përsëritur.

UNRWA hodhi poshtë akuza të ngjashme në të kaluarën e theksoi se është një agjenci ndihmash dhe humanitare. Ministria e Jashtme palestineze kritikoi atë që e përshkroi si fushatë izraelite kundër UNRWA-s.

UNRWA u krijua për të ndihmuar refugjatët e luftës së vitit 1948 dhe ofron shërbime arsimore, shëndetësore dhe ndihma për palestinezët në Gaza, Bregun Perëndimor, Jordani, Siri e Liban. Ajo ndihmon rreth dy të tretat e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës dhe ka luajtur rol kryesor për shpërndarjen e ndihmave gjatë luftës që Izraeli filloi pas sulmit të 7 tetorit me synimin për të eliminuar Hamasin.

Londra njoftoi se po ndalon përkohësisht fondet për UNRWA-n ndërsa shqyrtohen akuzat.

Qeveria italiane ka pezulluar financimin e UNRWA-s pas sulmit mizor ndaj Izraelit më 7 tetor.

Holanda dhe Finlanda gjithashtu thanë se po pezullojnë fondet.

Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini njoftoi të premten për hapjen e hetimit dhe tha se ka vendosur të ndërpresë kontratat e disa anëtarëve të personelit, për të ruajtur aftësinë e agjencisë për të ofruar ndihmë humanitare.

Lazzarini nuk bëri të ditur numrin e punonjësve të dyshuar të përfshirë në sulme, as natyrën e përfshirjes së dyshuar të tyre.

Çdo punonjës i UNRWA-s që u përfshi në akte terrori do të mbahet përgjegjës, duke përfshirë ndjekjen penale.

Hussein al-Sheikh, kreu i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), tha se shkurtimi i mbështetjes për agjencinë shkakton rreziqe të mëdha politike dhe për përhapjen e ndihmave.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë, vend dhurues kryesor për UNRWA-n, përshëndeti hetimin e ndërmarrë duke u shprehur thellësisht e shqetësuar për akuzat e ngritura kundër punonjësve të agjencisë.

Ne presim që Lazzarini t’ua bëjë të qartë punonjësve të UNRWA-s se të gjitha format e urrejtjes dhe dhunës janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk do të tolerohen.