Aktualitet

Vangjush Dako nuk do të rikthehet në burg/Vendimi i Apelit të GJKKO-së!

SPAK-u kërkoi rikthimin në burg të Vangjush Dakos, por Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-kryebashkiakun e Durrësit, i cili do të mbetet në arrest shtëpie.

Më 27 shkurt ishte Gjykata e Posaçme që pranoi kërkesën e ish-kryebashkiakut të Durrësit për lirimin e tij nga qelia, pas arrestimit për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh, si dhe për shpërdorim të fondeve publike në procedurën e prokurimit për ndërtimin e një shëtitoreje në bregdet.

Pas vendimarrjes, Gjykata e Posaçme shpërndau një njoftim ku sqarohej se Dako i kërkoi gjykatës që të konstatonte mbarimin e afateve të paraburgimit, si pasojë e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” të caktuar më 6 qershor 2023.

Bazuar në Kodin e Procedurës Penale e në një vendim njësues të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, gjyqtarja e çështjes vlerësoi se Dakos i kanë përfunduar afatet e paraburgimit e urdhërpo lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi.

Afatet e paraburgimit u dogjën pasi Prokuroria e Posaçme, SPAK, nuk arriti të përfundonte kryerjen e një akti ekspertimi dhe veprimet hetimore të kërkuara nga gjykata gjatë seancës paraprake të mbajtur më 2 shkurt. SPAK-u kërkoi kalimin e çështjes ndaj Dakos e 10 të akuzuarve të tjerë për gjykim, por Gjykata vlerësoi se hetimet ishin të paplota.

Kodi i Procedurës Penale përcakton në nenin 263, gërma (b) se paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga fillimi i zbatimit të tij kanë kaluar gjashtë muaj në rastet kur i pandehuri procedohet për krime që dënohen maksimumi deri në dhjetë vjet burgim. Për rrjedhojë, gjykata e ka vlerësuar të drejtë kërkesën e Dakos.

Nga SPAK-u, Dako u hetua për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë, në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë Fakle sh.p.k, pasi ai dhe zyrtarët e Bashkisë Durrës i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë. Hetimi arrin në përfundimin se është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.

Vepra e dytë penale për të cilën prokuroria kërkon gjykimin e Dakos ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK-ut, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.