Aktualitet

Veliaj me kryebashkiakun e Prishtinës, Përparim Rama: Tirana po zhvillohet me hapa të shpejtë!

Pas ceremonisë në të cilën Tirana mori zyrtarisht Presidencën e Rrjetit më të madh të qyteteve të Ballkanit, B-40, kryebashkiaku Erion Veliaj priti në takim kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama. Veliaj theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes Tiranës dhe Prishtinës, për të mësuar më shumë dhe për të marrë më të mirën nga njëri-tjetri.

Prishtina mori nga Tirana stafetën si “Qyteti Europian i Sportit 2024” dhe për këtë arsye, Veliaj tha se, Tirana është e gatshme të japë eksperiencën e saj.

Eshtë një bekim i madh sot që vëllai im, Përparimi, është në Tiranë dhe këtë xhamadan kuq e zi ia dhuroj edhe për simbolikën e transferimit të një titulli shumë të rëndësishëm, si “Qyteti Europian i Sportit” nga Tirana në Prishtinë, me shpresën se do të jetë pa dyshim një energji kuq e zi, por edhe një punë e mirë për qytetin dhe përgatitjen e një organizimi tjetër të madh, atë të Lojërave Mesdhetare. Gjatë vitit të sportit ne nuk përgatitëm vetëm sportistët për olimpiadë, por përgatitëm kryesisht ‘olimpiadën’ e qytetit tonë, pra njerëz që formojnë karakterin, që dinë çfarë është humbja dhe fitorja, që dinë të luajnë në skuadër, hapëm palestrat për komunitetin dhe regjistruam pa fund fëmijë në kurse, çka besoj se do të vazhdojë edhe pas titullit.

Kryebashkiaku Përparim Rama u shpreh se Prishtina ka marrë mësime nga Tirana për titullin “Qyteti Europian i Sportit”. Ai theksoi se sot Tirana është zhvilluar më shumë dhe me hapa të shpejtë.

Këtë vit e marr me konfidencë të madhe titullin Prishtina “Qyteti Euriopian i Sportit” sepse e dimë që, nëse ngelim diku, ne do t’ju thërrasim në telefon ose do t’ju marrim në Prishtinë për të na ndihmuar. Keni bërë me të vërtetë një punë të mrekullueshme. Ndihet energjia, produktiviteti, pozitiviteti në të gjithë qytetin. Sa herë vij, ndjej që Tirana po zhvillohet shumë e më shumë, me hapa shumë të shpejtë.