Auto & Moto

Vendi që mban rekordin në prodhimin e automjeteve për frymë popullsie!

Në asnjë vend tjetër të botës përveç se në Sllovaki nuk prodhohen kaq shumë automjete për frymë popullsie. Por përdorimit të motorëve me karburant po i vjen fundi, gjë që vë në rrezik vendet e punës. Si po e menaxhon Sllovakia këtë ndryshim? Numri i tyre është duke u rritur gjithnjë e më shumë, numri i targave ngjyrë gurë kali, që jepet për makinat elektrike. Makina elektrike shihen gjithnjë e më shpesh në rrugë.

Për çdo makinë të re elektrike, qeveria jep 8 mijë euro dhe krijimi i infrastrukturës për mbushjen e makinës ndihmohet me investime disa milionëshe. Megjithatë Sllovakia është ende në fillimet e kalimit tek makinat elektrike dhe kjo vlen të thuhet edhe për industrinë e makinave në vend. Në vitin 2021, në Sllovaki u prodhuan rreth një milionë makina të reja, një shifër rekord në të gjithë botën, matur me numrin e popullsisë prej 5,4 milionë banorësh.

Industria e makinave prodhon 13% të prodhimit të brendshëm bruto në vend, pra tri herë më shumë se në Gjermaninë e njohur si “vend i makinave”. Makinat e prodhuara janë kryesisht për tregun e brendshëm europian. Makinat përbëjnë 33% të eksporteve sllovake të mallrave. Industria e makinave është motori i ekonomisë sllovake dhe ky motor është vënë deri tani në lëvizje nga karburante me bazë fosile, të cilat janë të dëmshme për mjedisin.

Pas vitit 2035, në Bashkimin Evropian do të lejohen vetëm makinat e reja që nuk çlirojnë dioksid karboni. Deri sa të vijë ajo ditë, prodhuesit që duan të vazhdojnë të shesin makina në BE, duhet të ndryshojnë prodhimin, që do të thotë se duhet të prodhojnë makina me bateri elektrike.