Sport

Vllaznia pret rumunët e Craivovës/Laçi shkon në Moldavi për përballjen me Petrocub!

Sonte në orën 21:00, për Vllazninë nis aventura europiane në Conference League kundër Craivovës së Rumanisë, kundërshtar më i fortë në letër se shkodranët, por te ekipi i drejtuar nga Mirel Josa ka shumë optimizëm. Tifozët pritet të krijojnë atmosferë në Stadiumin “Loro Boriçi”. Trajneri Josa:

Vllaznia ka ardhur në formë optimale. Them se pjesëmarrja në turin e dytë na ka bërë mirë, për faktin e kohës së mjaftueshme për t’u përgatitur.

Kapiteni Erdenis Gurishta:

Ajo është favorit në letër, me statistika, me buxhet, por në futboll nuk vendos buxheti apo vlera e lartë në transfermarket. Shpeshherë në futboll fiton ai që jep maksimumin dhe shpirtin në fushë.

Po sot, por në orën 19:00, Laçi që është skuadra e vetme shqiptare që ka eliminuar një kundërshtar në Kupat e Europës do të luajë në Moldavi kundër Petrocubit.

Pasi eliminoi Iskran, Laçi do të zbresë në fushën e lojës, këtë herë në tokën moldave në raundin e dytë të Uefa Conference League. Kurbinasit “masin” forcat me Petrocub, me ndeshjen e parë që luhet në transfertë, ndryshe nga raundi i kaluar. Kundërshtari i Laçit vjen në këtë përballje pasi nxorri nga gara maltezët e Florianës, ashtu si kurbinasit, me një rezultat të përgjithshëm minimal 1-0.

Të dyja skuadrat ruajnë statusin e skuadrave nënkampione dhe pritet një duel tepër interesant, por edhe i ekuilibruar në letër. Përballë Iskra-s, skuadra e Shpëtim Duros dominoi 180 minutat, por vuajti mungesën e finalizimit të rasteve të krijuara, që ishin me shumicë, diçka të cilën duhet ta përmirësojë në këtë raund, përballë një kundërshtari që tani ka edhe një koefiçent më të lartë vështirësie.

Në krahun tjetër, kundërshtari i radhës për kurbinasit është një ekip deri diku i panjohur, me vetëm 23 vite histori dhe vetëm një kupë të fituar në sezonin 2019-2020, ndërsa edicionin e fundit u rendit pas kampionëve të Sheriff Tiraspol.

Ky është sezoni i pestë në arenën europiane dhe asnjëherë nuk kanë kaluar raundin e dytë, ashtu si sezonin e kaluar në Conference League, kur në këtë tur u eleminuan nga skuadra turke e Sivaspor, ndërsa luan për herë të parë kundër një skuadre shqiptare, ashtu si kurbinasit ndaj një ekipi moldav.