Rajoni

Veriu i Kosovës voton për shkarkimin e kryekomunarëve shqiptarë!

Në katër komunat në veri të Kosovës, sot qytetarët votojnë nëse duan apo jo të largojnë kryetarët shqiptarë të tyre. Procesi zhvillohet mes thirrjeve nga Lista Serbe për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe. Në të parën konferencë për media, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, bëri të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur e do të mbyllen në orën 19:00.

Mund të ketë pasur ndonjë vonesë teknike në hapjen e ndonjë vendvotimi, por kjo është gjë e zakonshme.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë që gjendet në terren, raportoi se në orën e parë pas hapjes së vendvotimeve në Mitrovicën e Veriut, askush nuk e shfrytëzoi të drejtën e votës. Në qendrat e votimit u panë vetëm vëzhguesit zgjedhorë, por jo qytetarë.

Situatë e ngjashme edhe në Zubin Potok. Në qendrën e votimit që gjendet në godinën e komunës, në mëngjes herët, askush nuk e shfrytëzoi të drejtën e votës.

Për këto votime, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç, të drejtë vote kanë 46.556 persona apo 1.461 votues më shumë, krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023 kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.

Në Mitrovicë të Veriut, të drejtë vote kanë 18.796 vetë. Në Leposaviç, ky numër është 13.674. Në Zveçan, 7.209 ndërsa në Zubin Potok, 6.877. Që votimi për shkarkimin e kryetarëve të konsiderohet i suksesshëm, duhet të votojnë 50% plus një votues, në komunat përkatëse.

Në katër komunat në veri janë 23 qendra, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht.

Sipas KQZ-së, në Leposaviç janë tetë qendra votimi ndërsa në Zveçan, Zubin Potok e në Mitrovicë të Veriut nga pesë. Ky është një numër shumë më i ulët i qendrave të votimit në veri nga 43 sa ishin miratuar fillimisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, të mbajtur një ditë para votimeve, u tha se drejtorët e 33 shkollave në veri e që punojnë sipas sistemit serb u shprehën se kanë “aktivitete shkollore” dhe se nuk mund t’i japin për shfrytëzim objektet për procesin e votimit. Për këtë arsye, KQZ-ja ka vendosur që disa objekte alternative të shndërrohen në vendvotime.