Aktualitet

Vrasja në burgun e Peqinit, ministri i Drejtësisë: Të gjitha burgjet në sigurinë më të lartë! Do të ketë të tjerë në regjimin “41 biss”

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja foli për mediat nga burgu i Peqinit, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë të premte.

 Është plagosur lehtë një tjetër i dënuar, dua të ngushëlloj familjarët e të dënuarit, t’i uroj shërim të shpejtë të dënuarit tjetër dhe dua të garantoj të dënuarve se situata e rendit është nën kontroll, autori i kësaj ngjarje është i dënuar me burgim të përjetshëm, pas kryerjes së krimit i është drejtuar drejtorit të burgjeve dhe drejtorit të përgjithshëm Peqin, pas dorëzimit është vënë nën dispozicion të prokurorit të posaçëm. Ngjarja është e rëndë, por nuk ka pasur cenim të jetës dhe sigurisë së civilëve, për dinamikën e ngjarjes do duhet të presim rezultatet e hetimit. Të gjithë mekanizmin e ngjarjes dhe zbardhjen e dinamikës janë çështje që i përkasin hetimit, nuk dua të cenoj çështjen e hetimit, do të ketë komunikim me opinionin publik pasi të merret në pyetje.

Sot ka urdhëruar vendosjen nën regjim të posaçëm për ngjarje të tjera që lidhen me të. Janë të detajuara detajet përse unë kam disponuar për vendosjen në regjim të posaçëm. Detajet ju lutem mos më bëni pyetje që cenojnë hetimin, unë jam këtu sonte dhe do të jem në ditët në vijim për të nxjerrë përgjegjësitë, të natyrës penale i takojnë organit të hetimit, do t’i shkojmë deri në fund, burgjet në sigurinë e lartë, për të kaluar në një nivel tjetër të gatishmërisë në burgje. Do të ketë të tjerë që do t’i nënshtrohen këtij veprimi, deklaroi Manja.

Një vrasje është shënuar sot brenda burgut të sigurisë së lartë të Peqinit. Sokol Mjacaj, i cili vuan dënimin me burg përjetë për vrasjen e e dy turistëve çekë, 8 vjet më parë, ka vrarë Arben Lleshin ndërsa ka mbetur i plagosur dhe Indrit Shaqja. Edhe këta dy të fundit janë persona të dënuar me burg përjetë.

Ende janë të paqarta shumë detaje ndërsa në njoftimin paraprak të Drejtorisë së Burgjeve të orës 14: 51 flitej për një konflikt mes tre te denuarve me burgim te përjetshëm.

Dyshohet se Sokol Mjacaj është paguar për të kryer vrasjen, ndërsa burime për Report Tv mësojnë se arma, tip pistoletë hyri në burg nëpërmjet një droni. Ndërkohë drejt burgut të Peqinit kanë shkuar forca policore për përforcime, si dhe drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe vetë ministri i Drejtësisë.

Sokol Mjacaj po merret në pyetje ndërsa ministri i Drejtësisë kërkoi që autori i vrasjes të futet në 41 Bis, pasi cenonte sigurinë në burgun e Peqinit.