Aktualitet

Vrau me armë zjarri 33-vjeçarin në Hot të Ri, vetëdorëzohet në polici pas disa muajsh i riu!

Valter Fjerza, 33 vjeç u vra mbrëmjen e 21 shtatorit në fshatin Hot i Ri të Shkodrës vetëm pak metra larg banesës së tij. I ri po shkonte me makinë në lokalin e fshatit pasi kishte mësuar se i vëllai, Kol Fjerza po konfliktohej me 5 djem të fisit Mhilli. Sherri mes Kol Fjerzës dhe autorit të dyshuar, Klodian Mhilli kishte lindur për një vend parkimi. Ata kishin pasur edhe një konflikt të hershëm mes tyre, por viktima Valter Fjerza nuk ishte pjesë e konfliktit.

Në vijim të punës hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të autorësisë së  ngjarjeve kriminale të ndodhura, si rezultat i kontrollit të territorit për kapjen e  shtetasve në kërkim të dyshuar si autorë të tyre, si dhe falë negociatave të vazhdueshme ndërmjet Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe familjarëve të një 24-vjeçari të shpallur në kërkim për vrasje, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, shtetasi: Klodian Mhilli, 24 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes me armë zjarri, të shtetasit V. F., kryer më datë 21.09.2023, në fshatin Hot i Ri.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka dërguar urdhrin per ekzekutimin e vendimit të vitit 2023 të Gjykatës së Shkodrës, e cila i ka caktuar 24-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme