Botë e Çuditshme Lifestyle

Zbulohen 250 mumie dhe 150 statuja egjiptiane në rajonin historik Sakara!

Gjatë studimeve arkeologjike në rajonin historik Sakara, që përdorej si vendbanim në Egjiptin e lashtë dhe ku ndodhen varret e faraonëve, u zbuluan 250 mumie dhe 150 statuja, të cilat vlerësohet se datojnë në vitin 500 para Krishtit. Gjatë gërmimeve arkeologjike janë gjetur edhe objekte të reja që i përkasin periudhës antike të Egjiptit.

Ky është zbulimi më i madh i bërë në Sakara, që nga viti 2018. Një papirus që besohet të jetë pjesë e “Librit të të Vdekurve” u gjet në një varr. “Libri i të vdekurve”, që përmban fraza fetare që besohet se udhëzon të vdekurit, njihet si një libër fetar i përdorur në ritet funerale në Egjiptin e lashtë, midis viteve 1550-50 para Krishtit.

Egjiptianët mund të kenë mumiet më të famshme, por ato nuk janë më të vjetrat. Populli Chinchorro i shkretëtirës Atakama të Kilit, ishte i pari që mumifikoi të vdekurit e tyre, 7000 vjet më parë. Në këtë shkretëtirë, vendi më i thatë në Tokë, janë gjetur mumie që datojnë 2000 vjet para mumieve egjiptiane. Bernardo Arriaza, antropolog fizik në Universitetin e Tarapacá tha se:

Chinchorro janë njerëzit e parë që banuan në veri të Kilit dhe në jug të Perusë. Ata janë gjithashtu kultura e parë e njohur në botë që ka mumifikuar të vdekurit e tyre, duke filluar rreth 5000 p.e.s.

Sjellim në vëmendje se mumia 3 500-vjeçare e faraonit Amenhotep I, e zbuluar në vitin 1881, është zbuluar në mënyrë digjitale nga shkencëtarët egjiptianë, duke publikuar detaje të papublikuara për jetën dhe vdekjen e mbretit egjiptian. E zbukuruar me kurora lulesh dhe një maskë prej druri për fytyrën, mumia ishte aq e brishtë sa arkeologët nuk kishin guxuar kurrë të ekspozonin mbetjet e saj, duke e bërë atë të vetmen mumje mbretërore egjiptiane të gjetur në shekullin e 19-të dhe të pa hapur ende nga studiuesit.