Rajoni

Zyrtari amerikan O’Brien në Beograd, Vuçiç: Na pret bisedë e vështirë!

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, sot viziton Beogradin për takime me liderët e Serbisë, presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeparlamentaren Ana Bërnabiç. Gjatë një interviste për televizionin Pink, takimin e pritshëm me zyrtarin amerikan, Vuçiç e cilësoi “bisedë të vështirë” e “të rëndësishme”.

Vizita e O’Brien-it vjen në kohën kur Beogradi zyrtar kritikoi Perëndimin pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta pamundësuar këtë e pavarësisht Marrëveshjes së Ohrit, sipas së cilës, Serbia u zotua se nuk do ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Tre ditë më parë, Prishtina akuzoi Serbinë se ndaloi mbi 1 mijë e 400 kosovarë për mbi 20 orë në pikat kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë, teksa kalonin tranzit nëpër Serbi. Beogradi i mohoi akuzat, duke thënë se vonesat u shkaktuan nga masat shtesë të sigurisë në kufi dhe se lëvizja e qytetarëve kosovarë “nuk është kufizuar”.

Këto veprime, qeveria e Kosovës i cilësoi “hakmarrje të Serbisë ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë”. Për çështjen reaguan edhe Departamenti amerikan i Shtetit e Bashkimi Europian, duke e kritikuar Beogradin për shkelje të marrëveshjes lidhur me lëvizjen e lirë mes dy vendeve.

Dje, Vuçiç e cilësoi “hipokrit” reagimin e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me ndalimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.

Po ashtu, vizita e O’Brien-it vjen një ditë para zgjedhjeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës e që mund të bojkotohen nga popullata serbe atje. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, u ka bërë thirrje serbëve t’i bojkotojnë votimet e 21 prillit.

Ndërkohë, Serbia dhe Republika Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë janë duke bërë fushatë kundër një draft-rezolute që është duke u diskutuar në Kombet e Bashkuara, për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Vuçiq tha se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët. Ai druhet se dokumenti mund të krijojë bazën për boshnjakët që të kërkojnë dëmshpërblim lufte nga Serbia, aleatja e serbëve të Bosnjës gjatë luftës.

Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë, miratoi një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës, nuk përbën gjenocid.