Aktualitet

2 vjet nga termeti tragjik i 26 Nëntorit që i mori jetën 51 personave.

Ishte ora 03.56 minuta e mëngjesit të 26 nëntorit 2019, ku një lëkundje e tokës që zgjati rreth 50 sekonda shënoi një prej ngjarjeve më të rënda në fushën e fatkeqësive natyrore në Shqipëri.

U bënë 2 vjet nga tërmeti i tmerrshëm, lëkundjet e të cilit morën jetën e 51 personave, plagosjen e më shumë se 900 të tjerëve, si dhe u prekën më shumë se 3 mijë persona në disa bashki.

Pallate, shtëpi, shkolla të shembura, njerëz që kërkonin ndihmë, ambulanca, makina policie e ushtrie ishte tabloja e asaj tragjedie.

Orët e para ishin kaotike, pasi shumë njerëz nën rrënoja luftonin mes jetës dhe vdekjes, ndërkohë të tjerëve iu duhej të përballeshin edhe me panikun që shkaktonin post-lëkundjet.

Solidariteti i vëllezërve, fqinjve dhe miqve nuk mungoi. Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Franca e shumë vende të tjera sollën në Shqipëri ekipe të kërkim-shpëtimit që për ditë me radhë kërkuan nën rrënoja për trupat e viktimave.

Pas 2 viteve, plagët ende nuk janë shuar plotësisht megjithëse Qeveria është drejt përfundimit të rindërtimit ose ndërtimit të banesave të reja. Durrësi dhe Tirana ishin dy prej bashkive më të mëdha që patën pasoja të rënda, por jo më pak edhe në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës.

Gjurmët e natës së 26 nëntorit të 2 viteve më parë janë në kujtesën e kujtdo, për të kuptuar se jeta dhe vdekja ndahen në pak sekonda.